Në Suharekë nis projekti "Nga një të punësuar për familje"

SuharekëPostuar: 15:35 / 19.04.2018

Nga Komuna e Suharekës, do të nis fushata për Projektin “Nga një të punësuar për familje” e cila do të përfshijë familjet me asistencë sociale të kategorisë së dytë e që në këtë Komunë ka rreth 176 familje.

Ky projekt do të jetë i përbashkët me Komunën e Suharekës, kështu u tha në takimin që u zhvillua sot në Suharekë, ku të pranishëm ishin edhe zv.kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ministri i MPMS-së Skender Reçica, zyrtarë të nivelit lokal dhe qendror dhe familjarë me asistencë sociale të kategorisë së dytë.

Takimin e bëri të hapur drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë në Suharekë, Sale Bytyçi, kurse më pas ka ftuar për një fjalë rasti kryetarin e Komunës, Bali Muharremajn.

“Shumë shpejt do ta kemi një marrëveshje me MPMS-në, përmes së cilës do të punësohen rreth 30 persona. Kështu do të punojmë që hap pas hapi të punësojmë edhe shumë persona tjerë në Komunën tonë”.

Ndërkaq, zv.kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka dhënë arsyen pse ky projekt po fillon nga Komuna e Suharekës.

“Jo rastësisht po e fillojmë nga këtu, sepse Theranda njihet si Komuna, banorët e së cilës janë shumë punëtorë, kjo ishte edhe arsyeja pse po e fillojmë nga këtu”, tha ai.

E ministri Reçica ndër të tjera ka thënë se "punësimi nuk do të jetë më brengë e juaja, por e jona, për këtë qëllim edhe po e fillojmë projektin për të punësuar nga një anëtarë te familjes që nuk e kanë asnjë të punësuar". /InfoKomuna/