Suhareka nënshkruan marrëveshje me KNKRS-në për Programin Nacional për Rininë

SuharekëPostuar: 16:49 / 05.12.2018

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport (KNKRS) në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, u prit sot në vizitë nga kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, me ç’rast nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e Programit Nacional për Rininë në këtë komunë, njofton kumtesa e ministrisë.

“Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës të nivelit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë. Në kuadër të këtij programi do të organizohen gara në tri fusha kryesore: dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik si dhe në sport. Për të tria fushat janë përgatitur udhëzuesit për rrjedhën e garës. Roli i komunës në realizimin e këtij programi është shumë i rëndësishëm prandaj ju falënderoj për mbështetje”, tha Hoti.

Ndërsa, Muharremaj shprehu gatishmërinë për realizimin e Programit Nacional për Rininë.

“Ne jemi të interesuar të ndryshojmë gjendjen në arsim dhe besoj se përmes këtij programi do të arrihet një rezultat i mirë. Ju do ta keni përkrahjen maksimale nga Komuna e Suharekës për këtë program”, tha ndër të tjera Muharremaj.

Hoti në këtë takim ishte i shoqëruar nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku, si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri.

“MKRS e mbështet Koordinatorin veçmas në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Ne do të fokusohemi më shumë në ndihmën infrastrukturore për të cilën MKRS e ka buxhetin e vet”, theksoi Morina-Bunjaku.

Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet KNKRS dhe Komunës së Suharekës përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programin Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me diturinë, kreativitetin kulturor dhe mendimin kritik, si dhe sportin.