1.4 milionë euro për rivitalizimin e lumit “Morava e Binqës”

VitiPostuar: 15:59 / 22.05.2018

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, e shoqëruar nga deputeti i Parlamentit të Kosovës Islam Pacolli, kanë qëndruar sot në Viti, me që rast janë pritur nga kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

Qëllimi i kësaj vizite ishte nënshkrimi i një marrëveshje bashkëpunimi mes komunës së Vitisë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për rivitalizimin e shtratit të lumit “Morava e Binqës.

Fillimisht kryetari e njoftoi ministren Reshitaj për aktivitetet dhe projektet e realizuara në këtë komunë, ndërkohë edhe për sfidat me të cilat përballet kjo komunë. Për projektin e rivitalizimit të shtratit të lumit “Morava e Binqës”, ministrja Reshitaj e cilësoi si një projekt kapital shumë të rëndësishëm dhe jetik jo vetëm për Vitinë, por në përgjithësi për këtë anë.

“Ndjehem e nderuar që sot jam në Viti dhe po sjell një projekt shumë të rëndësishëm, kapital dhe vital komunës së Vitisë. Kjo marrëveshje nënkupton bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti gjigant që do të zgjasë tri vite dhe kap shumë 1.450.000 euro. Për këtë vit janë ndarë 400.00 euro, ndërkohë që në dy vitet e ardhshme do të ndahet edhe shuma tjetër e caktuar, në mënyrë që brenda periudhës tre vjeçare të rrumbullakoset i tërë projekti ashtu siç edhe parashihet”, ka thënë ministrja Reshitaj.

Ajo gjithashtu ka theksuar se ka besim të plot se komuna e Vitisë me kryetarin Haliti do ta monitorojnë dhe implementojnë si duhet këtë projekt.

Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka thënë se ky është një projekt i shumë pritur për banorët e kësaj komune.

“Shpresojmë shumë që implementimi i këtij projekti të realizohet bazuar në planin dhe dinamikën e paraparë. Është një projekt që është pritur nga gjithë Anamorava, për shkak se kjo zonë është ballafaquar me dëme marramendëse ekonomike e bujqësore me vite të tëra, për shkak të vërshimeve që kanë përfshirë këtë pjesë. Vitia është e nderuar që sot është nënshkruar kjo marrëveshje dhe e falënderojmë ministren Reshitaj për punën e mirë që është duke e bërë. Ne kemi filluar me pak mjete që të bëjmë pastrimin e lumit Morava por që nuk kemi pasur mundësi që ky projekt të realizohet në plotni, karshi nevojave që kërkohen për rivitalizim. Prandaj, me projektin në fjalë, do të arrijmë që ta zgjidhim një herë e përgjithmonë, çështjen e problemit të Moravës”, ka thënë Haliti.

Kurse deputeti i Parlamentit të Kosovës Islam Pacolli, ka cilësuar si lajm të gëzueshëm projektin që do të implementohet, duke e vlerësuar si jetik për banorët e fshatrave që shtrihen buzë lumit “Morava e Binqës”. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përkrah edhe më shumë këtë pjesë.

“Ju bëjë thirrje edhe qeverisë për kyçje në Gërlicë por edhe të lidhët me Gjilanin dhe të mos harrohet për arsyeje se nga këtu vijnë shumë njerëz të mirë dhe punëtorë”, u shpreh Pacollia. /InfoKomuna/