A do të dalin sot nga karantina? Mjekët e infermierët e Vitisë po presin testet e IKSHP-së

VitiPostuar: 12:28 / 27.03.2020

17 mjekë e infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, përfshirë edhe drejtoreshën, do të testohen sot. Nëse rezultatet e tyre dalin negative, ata do të lirohen nga karantina.

Të njëjtit janë vendosur në karantinë para 15 ditësh, meqenëse kishin pasur kontakt me ambientin ku ishte trajtuar 77-vjeçari i infektuar me COVID-19, raporton Express.

Drejtoresha e QKMF-së, Vjollca Kadolli i ka thënë Gazetës Express se po presin që të vijnë ekipet e Instititit Kombëtar të Shëndetit Publik që t’ua marrin mostrat.

Sipas saj, asnjë prej mjekëve e infermierëve nuk ka ndonjë simptomë të koronavirusit.

“Jemi në pritje të ekipeve të IKSHP’së me na i marr mostrat, pastaj nëse rezultatet dalin negative, dalim nga karantina. Gjendja e të gjithëve është e mirë, s’ka asnjëri ndonjë simptomë”, ka thënë Kadolli për Express.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar shtatë raste të reja me koronavirus në Malishevë.

Sipas IKPSHK-së, të gjitha rastet janë të njohura, të kontaktuara dhe në vetëizolim. Me këto shifra numri i të prekurve në Kosovë kap shifrën 86.

“Sonte më 26.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar edhe 25 mostra nga Malisheva prej të cilëve 7 rezultuan pozitive. Të gjitha rastet janë të njohura, të kontaktuara dhe në vetëizolim”, njoftoi IKSHP-ja.