Kjo parti cakton kandidatin për kryetar të Vitisë

VitiPostuar: 14:30 / 18.07.2017

Dega e LDK-së në Viti në mbledhjen e fundit të kryesisë, e ka rikonfirmuar mbështetjen ndaj Sokol Haliti si kandidat të vetëm për kryetar të komunës së Vitisë në zgjedhjet lokale në vjeshtën e këtij viti.

Hasan Aliu, anëtarë i kryesisë dhe njëherit nënëkryar i komunës së Vitisë, ka thënë për Plus Tv, se kryesia e degës ka vendosur që i nominuari për kryetar të komunës për zgjedhje lokale të jetë kryetari aktual Sokol Haliti, pasi siç tha, nuk ka pas kandidat tjetër të propozuar nga anëtarët të kryesisë dhe se rikanditatura e tij e gëzon mbështetjen e plotë dhe unanime.

“Ky është vendimi jonë dhe fjala e fundit e degës dhe ky propozim ka mbështetjen e plotë edhe nga niveli qendror i partisë, pasi që niveli qendror e përfillë propozimin tonë dhe vendimi ka qenë unanim”, tha Aliu.

Ai i ka quajtur spekulim edhe qëndrime individuale, idetë se dikush tjetër mund të dal nga kjo degë në garën zgjedhore për të parin e Vitisë.

Nga ana tjetër ish kandidati për deputet nga ky subjekt në zgjedhjet e parakohshme parlamentare Faruk Nura, ka kontestuar vendimin e kryesisë së degës së LDK-së në Viti, pasi që siç shprehet ai nuk ka qenë i ftuar në mbledhjen e kryesisë së degës. Nura ka ripërsëritur për PlusTv se ai mbetet kandidat i vetëm për kryetar të komunës dhe se për këtë do të vendosin edhe organet qendrore të LDK-së./PlusTv/