Komuna e Vitisë vazhdon asfaltimin e rrugëve nëpër lokalitete

VitiPostuar: 13:47 / 17.08.2018

Ka filluar asfaltimi edhe i disa rrugëve nëpër disa fshatra, në kuadër të projekteve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore të lokaliteteve të komunës së Vitisë. Asfaltimi i rrugës "Shaban Kabashi" në gjatësi prej 500 metrash, ka nisur sot paradite, rrugë kjo e cila lidh Kabashin me fshatin Smirë.

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti me bashkëpunëtor, ka vizituar punimet që po kryhen në këtë rrugë dhe me këtë rast ka theksuar nevojën e kamotshme që kanë pasur banorët e kësaj pjese, për rregullim të infrastrukturës rrugore.

"Do të vazhdojmë edhe më tej që të realizojmë projekte që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve", ka thënë kryetari Haliti.

Ai më pas ka vizituar edhe punimet në rrugën “Xhepat” që lidh fshatin Lubishtë me Beguncën, e cila kap një gjatësi prej 1 kilometër e gjysmë. Po sot ka filluar asfaltimi edhe i rrugës “Rrezja e Lirisë”, që lidh Binqën me lagjen “Godeni i Ri”. /InfoKomuna/