Korpusi i Paqes me dy projekte për komunat e Kosovës

VitiPostuar: 10:03 / 13.12.2018

Korpusi i Paqes zhvilloi një takim me kryetarët e komunave për dy projektet që do të implementohen në komunat e Kosovës.

Në organizim të Korpusit të Paqes në Kosovë dhe mbështetur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, është mbajtur dje takimi me kryetarët e komunave të Kosovës, me ç‘rast janë ndarë informacione në lidhje me dy projekte, përmes të cilave vullnetarë të trajnuar amerikanë vendosen në fshatra dhe komuna, për të ofruar ndihmën e tyre gjatë shërbimit 24 mujor - me fokus në Mësimdhënien e Gjuhës Angleze si Gjuhë e Huaj (TEFL) dhe Zhvillim Organizativ të Komuniteteve (COD).

Ndërkohë, në komunën e Vitisë dy vullnetar amerikan janë duke shërbyer në kuadër të këtij projekti, në dy lokalitete të kësaj komune.

Në këtë takim e pranishme ishte edhe Colleen Hyland, zëvendës shefe e misionit, në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, e cila e konfirmoi mbështetjen e Ambasadës Amerikane për Korpusin e paqes dhe vullnetarët.

Përndryshe, Korpusi i Paqes është një agjencion i Qeverisë amerikane i themeluar zyrtarisht me 1 mars 1961 nga Presidenti Xhon F.Kennedy dhe ka për qëllim promovimin e njohjes dhe shkëmbimit kulturor, paqes dhe miqësisë në botë. /InfoKomuna/