Kryetari i Vitisë: Projekti i AVUK-ut për qentë endacak ka dështuar

VitiPostuar: 10:28 / 16.07.2019

Qentë endacak në Kosovë, ende paraqesin rrezik për qytetarët, pasi numri i tyre është shtuar dukshëm në terren.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini e paraqiti këtë problem si shumë shqetësues, si dhe ankesat direkte i drejtoi tek  Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK).

Haliti tha se ishte një ndër kryetarët e komunave më të zëshëm sa i përket implementimit të projektit të qenve endacak vitin e kaluar nga ana e AUVK-ut.

Ai tha se me këtë projekt AUVK-u ka dështuar plotësisht, pasi ky projekt sipas tij duhej të decentralizohej, transmeton Telegrafi.

“Kam qenë njëri nga kryetarët që kam reaguar kur ka filluar implementimi i projektit të qeneve endacak. E kam dit që ai projekt nuk do të jetë i suksesshëm. Kam kërkuar që ai projekt të implementohet nga komunat dhe të decentralizohet si projekt, të kësaj dukurie shumë negative. Qentë endacak gjithë Kosovën e kanë kapluar. Trajtimi ish dashur të bëhet nga Komuna, pasi e dimë problematikën shumë mirë. Agjencioni i veterinarisë ka dështuar në këtë drejtim, dhe sigurisht ata nuk na thërrasin sepse e din që kemi shumë kritika ndaj tyre… Ky problem i rrezikon qytetarët edhe sigurisht nga ndonjë epidemi. Qentë endacak kur janë të uritur rrezikojnë dhe në forma tjera. Agjencioni i veterinës ka përgjegjësi morale që të reagojë në këtë drejtim. Komunës duhet t’ia japin përgjegjësin për zgjidhjen e problemit”, ka thënë Haliti.

Ndërsa, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK), Lamir Thaçi, gjatë këtij emisioni tha se projekti vitin e kaluar ishte si formë emergjente deleguar nga Qeveria e Kosovës, për t’i ndihmuar komunat në trajtimin e qenve endacak, pasi siç tha ai kjo përgjegjësi ju takon komunave.

Ai tha se për momentin AUVK-u është në e hapjen e tenderit për kontraktimin e praktikave veterinare për të vazhduar punën që kanë pasur në vitin 2018.

“Sigurisht që disa komuna kanë filluar punën në mënyrë vetanake që të zhvillojnë projekte për trajtimin e qenve endacak. Kjo është punë që duhet të kryhet nga të gjitha komunat. Vitin e kaluar si masë emergjente nga qeveria, na ka deleguar si kompetencë për të ju dal në ndihmë komunave. Shpresojmë që ta bëjmë edhe këtë vit, por gjithmonë duhet pasur parasysh që kjo kompetencë ju takon komunave. Ata e din që në bazë të ligjit ata duhet të intervenojnë. Ne shpresojmë që edhe këtë vit duhet të ju dalim në ndihmë dhe komunat do të vazhdojnë me trajtimin e tyre”, ka thënë Thaçi. 

SkënderajKomente: 0 Kuvendi Komunal i Skenderajt, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt 17:38 / 28.03.2024 Kuvendi Komunal i Skenderajt, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, seancë kjo e udhëhequr nga kryesuesja Adelina Spahiu, e në të cilën kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Fadil Nura, drejtorët komunalë, anëtarët e Kuvendit dhe monitorues nga KFOR-i dhe OSBE.