Në Viti janë regjistruar 160 zjarre fushore dhe malore

VitiPostuar: 14:02 / 25.04.2019

Në Komunën e Vitisë, është mbajtur një takim i përbashkët me kryetarët e fshatrave, qytetarë, përfaqësues të Policisë së Kosovës, zyrtarë komunalë dhe nga Njësiti i Zjarrfikjes dhe Shpëtimit. Në këtë takim është folur rreth zjarreve malore të shkaktuara gjatë këtij viti në territorin e Komunës së Vitisë si dhe u prezantuan disa të dhëna nga kjo dukuri.

Hasan Aliu, zv.kryetar i Komunës së Vitisë, u shpreh se dukuria e zjarreve është fatkeqësisht e përhapur në gjithë vendin, duke theksuar se për këtë institucionet komunale të Vitisë, po vazhdojnë të punojnë në vetëdijesimin e qytetarëve rreth pasojave që sjellë kjo dukuri për vendin, shëndetin dhe natyrën.

Ndërkaq Nexhmedin Jakupi, drejtor për Shërbime Publike dhe Emergjencë ka folur mbi zjarret e shkaktuara në territorin e kësaj komune për periudhën janar-prill 2019 si dhe për masat që janë ndërmarrë në parandalimin e tyre.

Drejtori Jakupi bëri me dije se për këtë periudhë kanë pasur qindra dalje të përgjithshme. Ai bënë me dije se gjatë këtij viti në territorin e komunës së Vitisë kanë regjistruar 160 zjarre fushore e malore, prej tyre 138 zjarre ishin në sipërfaqe të hapura kurse 61 prej tyre ishin zjarre malore.

Ndërkaq Kadri Ismajli, përgjegjës i sektorit pyjor në Viti, tha se zjarret malore kanë përfshirë edhe territorin e komunës së Vitisë, saktësisht ai përmendi zjarret që janë përhapur në fshatrat: Buzovik, Letnicë, Novoselë si dhe disa fshatra të tjera. Ai bëri me dije se nga këto zjarre janë prekur gjithsej mbi 56 hektarë pyje të kësaj komune qoftë private apo publike.

Ndërkaq Afrim Halili, komandant i Stacionit Policor në Viti, u shpreh se është detyrë e çdo qytetari që të mbrojë ambientin dhe natyrën. Ai tha se për rastet e zjarrvënieve të qëllimshme janë hapur 9 raste në gjykatë si dhe bëri me dije se ndaj disave janë marrë masa ligjore nga organet kompetente.

Në fund të këtij takimi kanë dalë edhe disa rekomandime si: rritja e masave për parandalimin e përhapjes së zjarreve; vetëdijesimi i qytetarëve për pasojat që sjellin zjarret malore; pastrimi i pyjeve dhe hapja e korridoreve që të lehtësohet qasja në pyje për të intervenuar në rast të zjarreve. /InfoKomuna/