Vitia mban dëgjim publik për buxhetin me grupin e grave

VitiPostuar: 15:27 / 06.09.2017

Në orët e pasdites është mbajtur dëgjimi publik me gratë e komunës së Vitisë, për tu njohur me nevojat dhe kërkesat e tyre lidhur me planifikimin e buxhetit 2018-2020.

Fillimisht zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu ka njoftuar për debatet e deritanishme të cilat janë në prag të përfundimit, cikël ky që është ballafaquar drejtpërdrejt me kërkesat dhe nevojat e banorëve të lokaliteteve. Ai tha se sivjet është shtuar numri i dëgjimeve publike, me që rast janë paraparë të mbahen 26 sosh me grupe të ndryshme. Gjithashtu ka përmendur investimet e bëra në tri vitet e fundit, në përkrahje të shoqatave të grave, përmes subvencioneve dhe donacioneve të ndryshme.

Kurse Ibrahim Rama, drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, ka sqaruar për kategoritë buxhetore dhe planifikimet e buxhetit të ardhshëm në fushën e arsimit, ndërkohë që ka dhënë edhe statistikat rreth grave të punësuara në komunën e Vitisë. Kërkesë e grave të komunës së Vitisë në këtë debat, dolën të jenë ndërtimi i Çerdhes së fëmijëve në Viti e Pozheran, për shkak të numrit të madh të fëmijëve dhe kërkesave të shumta në Çerdhen e vetme në Viti.

Gjithashtu, përfaqësuesja e Grupit të Grave të komunës së Vitisë Xhylsime Qamili, ka paraqitur edhe si nevojë digjitalizimin e Rentgenit, aparaturën e re laboratorike në QKMF, si dhe disa kërkesa të tjera./InfoKomuna/