Vitia bëhet me arkiv të dokumenteve kadastrale

VitiPostuar: 15:59 / 11.04.2019

Në Komunën e Vitisë sot është bërë inaugurimi i Arkivit të dokumenteve kadastrale, projekt ky që u mundësua falë financimit të Programit të USAID-it për të drejtat pronësore.

Në ceremoninë e inaugurimit të këtij projekti pos kryetarit të Vitisë, Sokol Haliti kanë marrë pjesë edhe Paul Vaca, drejtor i Zyrës së Programit të USAID-it për Kosovë si dhe Brain Kemple, drejtor i Programit për të Drejtat Pronësore nga USAID, transmeton InfoKomuna.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ndër tjerash tha se me këtë projekt, mundësohet sigurimi i dokumenteve të vlefshëm dhe se do të kemi një arkiv më të kompletuar.

“Për këtë projekt, por edhe projekteve tjera të realizuara në komunën tonë, Vitia i është mirënjohëse popullit amerikan dhe USAID-it. Ju faleminderit në emër të qytetarëve të komunës së Vitisë, për gjithë mbështetjen që na e keni dhënë”, u shpreh kryetari Haliti.

Paul Vaca, Drejtor i Zyrës së Programit të USAID-it për Kosovë, u shpreh se është hera e pestë që ai viziton Vitinë dhe gjithnjë ndjen kënaqësi kur viziton këtë komunë.

“ Ambasadori amerikan gjithnjë përmend tri elemente sa herë fletë për Kosovën. Paqja, drejtësia dhe prosperiteti ekonomik, si tri shtylla shumë të rëndësishme për funksionimin e shtetit. Viteve të fundit, është punuar me shumë komuna të Kosovës sa i përket të drejtave pronësore, mirëpo duhet ta theksoj se komuna e Vitisë është ndër më të suksesshmet në këtë drejtim. Ky renovim, që është donacion i USAID-it amerikan, do të shërbej për sigurim të dokumenteve arkivore që do të jenë në gjendje shumë më të mirë e më të sigurt”, u shpreh Vaca.

Ndërkaq Brain Kemple, Drejtor i Programit për të Drejtat Pronësore nga USAID, u shpreh se kur kemi filluar programin për drejtat pronësore, e patëm filluar me Vitinë dhe kjo ishte e mrekullueshme pasi që bashkëpunimi me Institucionet komunale ka qenë i shkëlqyeshëm. /InfoKomuna/