"Vitia me inkasim rekord të të hyrave vetanake"

VitiPostuar: 14:38 / 23.10.2019

Komiteti për Politikë dhe Financa në Viti ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën janë shqyrtuar dhe votuar disa pika të rendit të ditës, me theks të veçantë është biseduar rreth pasqyrave financiare të buxhetit komunal për periudhën janar-shtator 2019.

Me këtë rast, Ibrahim Rama, drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim duke prezantuar këtë dokument financiar bëri me dije se nga të hyrat vetanake për periudhën janar-shator 2019 në këtë komunë janë inkasuar 823.713,57€.

Ai tha se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak gjatë këtij viti janë inkasuar 254.636,78€ më shumë, duke e cilësuar këtë si sukses dhe rekord në inkasimin e të hyrave vetanake, përcjell InfoKomuna.

Ndërkaq, drejtori Rama, potencoi se shkalla e ekzekutimit të buxhetit për këtë periudhë është 87.97%.

Lidhur me këto pasqyra financiare sqarime kërkuan anëtarët e KPF-së nga LVV Jakup Demiri dhe Liridona Bislimi.

Kurse në fillim të këtij takimi Bekim Azizi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ekrem Abazi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njoftuan Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira se në shenjë pakënaqësie ata do të jenë pasiv në mbledhjet e Komitetit për Politikë dhe Financa dhe se kontributin e tyre do të japin në mbledhjet e Kuvendit Komunal të Vitisë.

Me këtë rast Kryesuesi Pira tha se ai respekton vendimin e tyre por shtoi se kontributi i anëtarëve të KPF-së është i mirëpritur.

Ndërkaq, gjatë kësaj mbledhje janë shqyrtuar dhe votuar propozim vendimi për shpalljen në diskutim publik për propozim rregulloren për transparencë në Komunën e Vitisë si dhe propozim vendimi për ndryshim plotësim të vendimit Nr.01-410/03-71, të datës 08.02.2018, të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Gjithashtu nga Zyra e Prokurimit Publik në Viti është paraqitur një informatë lidhur me kontratat të nënshkruara për periudhën janar-shtator 2019. /InfoKomuna/