Vitia parapërgatitet për "Ditët e Ambientit 2018"

VitiPostuar: 14:01 / 12.09.2018

Ekipi komunal për organizimin e aktiviteteve për Ditët e Ambientit 2018 nën kryesimin e Kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka mbajtur sot takimin e parë të rregullt. Gjatë këtij takimi është folur për parapërgatitjet e që po i bënë Komuna e Vitisë, në realizimin e aktiviteteve të shumta të pastrimit në këtë komunë për periudhën 15 shator deri me 15 dhjetor të këtij viti.

Kryetari Haliti tha se ai vitin 2018 ka shpallur vit të mbrojtjes së ambientit dhe të pyjeve dhe në kuadër të këtyre vendimeve janë zhvilluar aktivitete të shumta të pastrimit dhe mbrojtjes së pyjeve.

Megjithatë ai bëri me dije se kjo komunë do të vazhdojë të zhvillojë aktivitete të shumta në fushën e mbrojtjes së mjedisit duke potencuar se përmes kësaj ekipe do të mobilizohen qytetarë dhe mekanizma të tjerë që të bëjnë eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave, do të pastrohen hapësirat publike si dhe do të shtohen sipërfaqet me gjelbërim.

Kurse gjatë këtij takimi Ekipa në fjalë ka theksuar se ata po bëjnë parapërgatitjet e hartimin e një plani konkret për aktivitetet e pastrimit të cilët do të zhvillohen në komunën e Vitisë.

Përndryshe kjo ekipë përbëhet nga drejtorët e Arsimit, Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Inspekcionit, Shërbimeve Publike, Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, shoqërisë civile, Plus Televizion dhe Zyrës për Informim Publik. /InfoKomuna/