Vitia pranon nga Misioni i OKB-së pako ushqimore dhe higjienike për qytetarët në nevojë

VitiPostuar: 16:40 / 15.05.2020

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot në takim një delegacion të Zyrës së UMNIK-ut në Kosovës, në krye me Drejtorin e Zyrës për Mbështetjen e Komuniteteve në kuadër të UMNIK-ut, Leonid Markarian.

Pas këtij takimi kryetari Haliti ka pranuar një donacion prej 50 pakove ushqimore dhe 40 pakove higjienike për qytetarët në nevojë të kësaj komune.

Kryetari Haliti gjatë këtij takimi e ka njoftuar këtë delegacionin mbi zhvillimet e gjithëmbarshme në këtë komunë në veçanti rreth menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19.

Ai shtoi se shkaku i gjendjes së krijuar nga pandemia shumë familjeve vitiase ju është vështirësuar gjendja financiare dhe potencoi se ndihmat në pako ushqimore dhe higjienike janë të mirëseardhur.

Ndërkaq Drejtori i Zyrës për Mbështetjen e Komuniteteve në kuadër të UMNIK-ut, Leonid Markarian, përgëzoj institucionet komunale të Vitisë, për menaxhimin e situatës së krijuar nga virusi pandemik COVID-19 duke potencuar se në kuadër të bashkëpunimit të UNMIK-ut me Vitinë ata kanë dashur që përmes këtij donacioni prej 90 pakove ushqimore dhe higjienike të ju dalin në ndihmë qytetarëve në nevojë.

Ai po ashtu ka thënë se Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK-ut Zahir Tanin, ka respekt të madh për punën të cilën e bënë kryetari Haliti për të gjithë qytetarët e kësaj komune dhe atë pa dallime.

Ndërkaq donacioni i sotëm që përbëhet prej 90 pakove, 50 prej tyre ushqimore dhe 40 higjienike ju dedikohet qytetarëve të kësaj komune me gjendjen e vështirësuar financiare.

Gjithashtu Tanin përmes delegacionit të tij ka dorëzuar sot një letër për kryetarin Haliti që shpreh interesimin për vazhdimin e bashkëpunimit.

Përndryshe komuna e Vitisë ka qenë komuna e parë e prekur me COVID-19, ku gjithsej me këtë virus ishin prekur 54 qytetarë dhe tani për tani të gjithë janë shëruar. /InfoKomuna/