Zviceranët të interesuar për hapjen e një fabrike të djathit në Viti

VitiPostuar: 15:17 / 17.05.2018

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot në takim një delegacion nga Zvicra, në krye me Kryetarin e Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë, Stefan Sarkany si dhe zviceranin Jean Pierre Wicht por edhe Imri Limanin , anëtar i Dhomës së Zvicrës dhe i Komitetit Kosovar te Tregtisë në Gjenevë të Zvicrës.

Gjatë këtij takimi është folur në veçanti rreth mundësisë së ndërtimit të një fabrike për prodhimin e djathit Zviceran, në territorin e komunës së Vitisë.

Pas këtij takimi investitorët Zviceran janë takuar edhe me prodhuesit e qumështit për tu njohur për së afërmi me kapacitetet aktuale prodhuese në këtë komunë.

Fermerët vitias të cilët ishin në takim potencuan se hapja e një fabrike të tillë në Viti do të ndikonte pozitivisht në sektorin e blegtorisë pasi që sipas tyre kapacitetet aktuale të prodhimit të qumështit në viti janë rreth 15 mijë litra qumësht në ditë.

Kurse edhe vetë investitorët Zviceran, bënë me dije se ata janë të interesuar që në tregun kosovar sjellin djathë të cilësisë zvicerane.

Përndryshe Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti u shpreh se kjo komunë do të bënë gjithçka që është brenda mundësive ligjore që investitorë serioz të investojnë në Viti duke potencuar se kjo komunë ka kushte të favorshme për zhvillimin e biznesit.

Kryetari Haliti shtoi se në Indeksin Konkurrueshmërisë së Komunave Vitia është ndër tri komunat më të mira në nivel vendi. /InfoKomuna/