Këshilli i drejtorëve të Vushtrrisë shqyrton projekt buxhetin për vitin e ardhshëm

VushtrriPostuar: 15:51 / 15.08.2017

Këshilli i drejtorëve i Komunës së Vushtrrisë në mbledhjen e kryesuar nga kryetari i Komunës Bajram Mulaku, sot ka shqyrtuar draft buxhetin e Komunës për vitin 2018, ku është folur për investimet që do të bëhen nga Komuna.

Në diskutimin e lidh lidhur me buxhetin për vitin e ardhshëm, kryetari i Komunës tha se do të vazhdohet me investimet në rregullimin e infrastrukturës, rrugore, rregullimin e shkollave por edhe janë paraparë që ti ipet prioritet zhvillimit të bujqësisë ku edhe është rritur buxheti investiv.

“Pas përafrimit të mirë që i kemi bërë investimeve në infrastrukturën rrugore si në qytet dhe në fshatra, vitin e ardhshëm kemi planifikuar të rrisim investimet në bujqësi që të përkrahen ekonomitë familjare por edhe investitorët serioz, që të rritet prodhimtaria bujqësore dhe të punësohen njerëz gjithnjë në funksion të përmirësimit të mirëqenies sociale dhe rritjes ekonomike”, ka thënë Mulaku. 

Para draftimit të parë të buxhetit, muajin e kaluar, Komuna e Vushtrrisë ka zhvilluar dëgjime buxhetore me qytetarë të Vushtrrisë ku qytetarët kanë parashtruar kërkesat për investime kapitale kryesisht në rregullimin e infrastrukturës por edhe në përmirësimin e mirëqenies së tyre.
Pas shqyrtimit nga Këshilli i drejtorëve do të shqyrtohet edhe nga Komiteti për politikë e financa i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë si dhe në fund do të dërgohet për shqyrtim në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.