Komuna e Vitisë uron Policinë e Kosovës në Ditën e themelimit të saj

VushtrriPostuar: 14:29 / 06.09.2017

Komuna e Vitisë ka uruar sot Policinë e Kosovës, në ditën e themelimit të saj. Sokol Haliti, kryetari i kësaj komune me bashkëpunëtorët dhe në bashkëpunim edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, kanë vizituar sot Stacionin Policor në Viti, ku janë pritur nga udhëheqësit dhe zyrtarët policorë të Vitisë.

Kryetari Haliti tha se Policia e Kosovës si resori më i besueshëm në vend gëzon respekt të veçantë edhe nga institucionet, transmeton InfoKomuna.

“Në shenjë respekti dhe mirënjohje ne kemi ardhur së bashku për t’a falënderuar Policinë e Kosovës për angazhimin e saj për rend, ligj dhe siguri më të madhe për të gjithë. Ne në vazhdimësi i kemi ofruar bashkëpunim institucional Policisë së Kosovës dhe kështu do të vazhdojmë edhe më tutje. Është me rëndësi që është krijuar një frymë e mirë e punës së përbashkët edhe për të ardhmen dhe është krijuar vetëdija e vazhdimësisë”, ka thënë kryetari Haliti.

Komandanti i Stacioni Policor në Viti, kapiten Agim Lipovica, nuk e ka fshehur ndjenjën e mirë që ka përjetuar bashkë me kolegët me rastin e kësaj vizite.

“Nuk ka asnjë arsye për të mos pasur bashkëpunimi të mirë. Ne kemi raporte të veçanta dhe të shëndosha me institucionet komunale të Vitisë. Është me rëndësi që kjo frymë të reflektohet edhe në opinion, sepse për ne është me rëndësi të kemi qytetarë sa më të vetëdijesuar, kurse ne si institucione përpiqemi t`iu sigurojmë kushte për jetë dhe siguri”, ka thënë kapiteni Lipovica.

Delegacioni i Komunës së Vitisë për stafin e Stacionit Policor në Viti kishte përgatitur edhe një torte në 18-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës./InfoKomuna/