Tahiri nderon me mirënjohje komandantin e KFOR-i me bazë në Vushtrri

VushtrriPostuar: 13:39 / 20.04.2018

Dy komandantët që zëvendësojnë njëri tjetrin në bazën e KFOR-it në Maxhunaj të Vushtrrisë, janë pritur sot nga udhëheqja komunale në Vushtrri.

Në takim me kryetarin Xhafer Tahiri dhe zëvendësin e tij Besim Muzaqi, drejtuesit e njësive të Misionit paqësor të KFOR-it, në pjesën veriore të Kosovës, vlerësuan se gjendja e sigurisë në Vushtrri është e qetë dhe stabile.

Përveç se ka çmuar njësitë e KFOR-it për punën e palodhshme që po bëjnë në ruajtjen e gjendjes stabile të sigurisë, në këtë takim kryetari i Komunës Xhafer Tahiri, ka kërkuar nga ta që mundësisht ta bëjnë ndërtimin e një ure për këmbësor, ndërmjet fshatrave Stanofc dhe Prelluzhë që lidh këto dy komunitete, dhe që për fat të keq u dëmtua gjatë vërshimeve të fundit nga lumi Llap në atë pjesë.

Në emër të Komunës dhe qytetarëve të Vushtrrisë, për misionin në Vushtrri, kryetari Tahiri ka nderuar me mirënjohje komandantin e deritanishëm të bazës së KFOR-it në Maxhunaj, sllovenin kolonel-lejtnant, Robert Verliq. /InfoKomuna/