Tahiri përmend ndër të arriturat digjitalizimin e shëndetësisë dhe admistratës komunale

VushtrriPostuar: 15:37 / 21.12.2018

Në prag të përfundimit të vitit kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, në një takim të organizuar me qytetarë, ka raportuar për punët që janë bërë nga Komuna e Vushtrrisë gjatë vitit që po e lëmë pas.

Duke folur për të arriturat kryesore, Tahiri ka thënë se digjitalizimi i shëndetësisë dhe administratës komunale, subvencionimi i normës së interesit për kredi biznesi, mbulimi i shpenzimeve të varrimit, menaxhimi i mbeturinave në gjithë Vushtrrinë, Zona ekonomike në Lumadh, Sheshet "Hasan Prishtina" e "Ahmet Krasniqi", zgjerimi i ndriçimit publik dhe transparenca në shpenzime dhe llogaridhënie, janë të arriturat kryesore të Komunës së Vushtrrisë për këtë vit.

Kryetari Tahiri po ashtu ka përmendur edhe grandet që Vushtrria i ka marr për performancë të mirë komunale nga organizata DEMOS e Zvicrës dhe MAPL-ja, të cilat i ka shpenzuar në rregullimin e kanalizimit në fshatin Sllatinë këtë vit, si dhe në krijimin e hapësirave publike në 10 fshatra investime që do të bëhen vitin e ardhshëm.

Nga ana tjetër me gjithë vlerësimet pozitive për punët që janë kryer qytetarët kanë bërë kërkesa për më shumë investime në infrastrukturën publike. Shefqet Hajdari, nga fshati Mavriq ka kërkuar që familjet të furnizohen me kontejnerë të mbeturinave.

Në emër të shoqërisë civile, Blerim Ibrahimi tha se Komuna e Vushtrrisë është mirë ta krijoj Zyrën e Turizmit, të behet lirimi i disa hapësirave publike në qytet, si dhe të behet përtëritja e shenjave të komunikacionit në qytet e disa fshatra.

Mësimdhënësi Jeton Sallahu ka kërkuar që Komuna ta financojë nxjerrjen e një reviste periodike nga shkolla SHMU2 në qytet. Azem Ademi, nga fshati Nevolan ka kërkuar që rruga që po bëhet në lagjen e tyre të jetë më e gjerë. /InfoKomuna/