Vushtrria bëhet me sistem elektronik për shërbimet shëndetësore

VushtrriPostuar: 15:29 / 10.09.2018

Në Komunën e Vushtrrisë sot është lëshuar në funksion sistemi elektronik i menaxhimit të radhës dhe pritjes për shërbimet kryesore shëndetësore në QKMF, në QMF 1 dhe Laborator.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se me këtë investim kapital të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale në vlerë prej 11,827 euro i kanë dhënë fund pritjeve kaotike dhe kaosit për marrjen e shërbimit shëndetësor.

"Nga menaxhimi i ardhjes dhe daljes në punë me kartela elektronike, vendosja e GPS në auto-ambulanca dhe veturat e QKMF-së dhe tash me sistemin elektronik të menaxhimit të radhës ne po jetësojmë reformën në shëndetësi dhe po digjitalizojmë shërbimet tona", ka theksuar Tahiri.

"Së shpejti do ta bëjmë funksionale qendrën e thirrjeve falas për qytetarë për të caktuar termine dhe marrë informacion, si dhe do të vendosim kamerat në Qendrat e Mjekësisë Familjare për të rritur sigurinë e objekteve dhe monitoruar oraret dhe shërbimet që ofrojmë", ka shtuar ai. /InfoKomuna/