Vushtrria bëhet me Zyre të turizmit

VushtrriPostuar: 11:38 / 18.12.2019

Komuna e Vushtrrisë sot ka përuruar Zyrën e turizmit, ku vizitorët në këtë komunë mund të informohen për monumentet e trashëgimisë kulturore.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Fatmire Cecelia është shprehur e lumtur me hapjen e kësaj zyre, duke theksuar se Vushtrria ka potenciale të mëdha në fushën e turizmit.

"Në këtë fundvit, me kënaqësinë më të madhe dua t’ua kumtoj lajmin e gëzueshëm për një fushë, e cila padrejtësisht nuk u lejua të zhvillohej në komunën tonë. Vushtrria ka potencial të mirë për turizëm, por mungonte vullneti dhe angazhimi për zhvillimin e turizmit. Sot, po përurojmë Zyrën e Turizmit, në Vushtrri. Ajo që nga sot, do të jetë e hapur për Ju, në oborrin e Kalasë së Vushtrrisë", ka theksuar ajo.

"Bashkë me këtë zyrë, sot, promovojmë edhe Hartën e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore të Komunës së Vushtrrisë, për të cilën po ashtu u punua shumë që ta kemi.
Shumë shpejt do ta kemi edhe Guidën Turistike të Vushtrrisë. Ne i hapim rrugë zhvillimit të turizmit", ka potencuar drejtoresha Cecelia. /InfoKomuna/