Vushtrria liron hapësirat publike në shesh që shfrytëzohen nga bizneset

VushtrriPostuar: 16:20 / 23.04.2018

Në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, të drejtuar nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, Komuna e Vushtrrisë sot ka marr vendim që në tërë Sheshin e qytetit të Vushtrrisë, nga Parku i qytetit e deri në fund të Sheshit të bëhet lirimi i hapësirave publike, që ato të shfrytëzohen ato të kthehen në shfrytëzim të qytetarëve.

Pas ankesave të qytetarëve, kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri pas diskutimeve me drejtorët, ka marr vendim të lirohen të gjitha hapësirat publike.

Konkretisht është marr vendim që të hiqen xhamat që lokalet hoteliere kanë vendosur në hapësirat publike në Shesh.

Po ashtu gjatë sezonit të verës do të lejohet vendosja e tavolinave me pagesë para lokaleve hoteliere deri në një hapësirë e cila do të vendoset për secilën kërkesë veç e veç. Do të lejohet po ashtu edhe vendosja e mbulesës me litar para lokaleve, por kurrsesi  nuk do të lejohet edhe vendosja e shtyllave e as e xhamave në hapësirën publike.

Gjithashtu në vendimin që ka marr sot Komuna, lejimi i shfrytëzimit të kësaj hapësire me pagesë, do të lejohet vetëm deri në mbarim të sezonit, e pas saj këto hapësira sërish do të lirohen. /InfoKomuna/