Vushtrria nis gjobat për hedhjen e mbeturinave jashtë vendeve të lejuara

VushtrriPostuar: 10:06 / 08.11.2018

Komuna e Vushtrrisë njofton se ka nisur me shqiptimin e gjobave për ata që hedhin mbeturina jashtë vendeve të lejuara/kontejnerëve.

Siç thuhet në njoftim, Drejtoria për Inspektime së bashku me Policinë e Kosovës ka bërë planin e veprimit dhe janë duke inspektuar me dy ndërrime, ku dhe kanë filluar ndëshkimet me gjoba mandatorë, transmeton InfoKomuna.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Vushtrrisë të na ndihmojnë për zbatimin e këtij udhëzimi duke raportuar Inspektoratin Komunal ose Policinë e Kosovës me informata dhe fotografi të personave që hedhin mbeturina në vende të pacaktuara”, theksojnë zyrtarët komunalë të Vushtrrisë.

Nga 23 tetori i këtij viti ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ Nr.06/2018 për ndëshkimet me Gjoba Mandatore për ata që hedhin mbeturina në vendet që nuk janë të lejuara.
Vlera e gjobës mandatore, varësisht prej veprimit ndëshkues do të jetë prej 20 deri në 100 euro.

Nëse personi i ndëshkuar me gjobë mandatore e bën pagesën brenda 15 dite gjoba është 50% më lirë. Nëse personi fizik apo juridik nuk e bënë pagesën e gjobës mandatore brenda 15 dite, lënda procedohet te përmbaruesi për ekzekutim.

Autoritetet që do të zbatojnë këtë udhëzim janë, inspektorati Komunal i mjedisit, Policia e Kosovës si dhe zyrtarët e tjerë të autorizuar. /InfoKomuna/