Komuna e Vushtrrisë më transparentja në prokurim për vitin 2018

VushtrriPostuar: 09:54 / 28.03.2019

Organizata Demokraci Plus (D+) publikoi raportin e dytë të vlerësimit gjashtëmujor mbi prokurimin publik në nivel komunal për periudhën janar – korrik 2018, duke u fokusuar në pesë komuna: Gjakovë, Gjilan, Pejë, Prishtinë, dhe Vushtrri.

Ky raport krahasues analizon performancën e këtyre komunave në efektivitetin e prokurimit, integritetin, transparencën dhe cilësinë e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve, transmeton InfoKomuna.

Raporti vlerëson performancën e komunave përmes një numri indikatorësh, si: “Zbatimin e Ligjit”, “Praktikat e Mira”, “Zbatimin e rekomandimeve nga institucionet mbikëqyrëse”, “Transparencën”, “Konkurrencën” dhe “Përfshirjen Qytetare”. Bazuar në këtë analizë, D+ ka gjetur që komuna e Vushtrrisë, Prishtinës dhe Pejës janë performuesit më të mirë gjatë gjysmës së parë të vitit 2018.

Në tryezën e D+, Isuf Zejna, i cili prezantoi këtë analizë, vlerësoi se krahasuar me raportin e parë del se këtë herë komunat qëndrojnë më mirë, ku ka reforma kryesore në prokurim publik, sidomos në kuptim të transparencës. Sipas tij, ka filluar publikimi i një numri më të madh të dokumenteve duke përfshirë edhe kontratat e prokurimit publik.

Drejtoresha e zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Christina Davis, duke e vlerësuar rezultatin e këtij projekti, tha se në këtë mënyrë luftohet edhe korrupsioni.

“USAID është i kënaqur t’i ndihmojë këto ngjarje që komunat po i praktikojnë dhe kjo ka të bëjë me transparencë dhe llogaridhënie.  Në këtë raport, kemi progres më të madh në transparencë, pasi plani i prokurimit dhe kontratat tanimë janë online. Përgëzoj Komunën e Vushtrrisë për bashkëpunimin e mirë që kemi me të si dhe për renditjen si komuna më transparente, tha zonja Davis.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, si komuna që performoi më së miri, Xhafer Tahiri, tha se është diçka e veçantë që komuna që udhëheqë është vlerësuar me numrin më të madh të pikëve, në kuadër të këtij projekti.

“Është zotim yni që Komunat të punojnë edhe më shumë në fushën e transparencës”, ka thënë Tahiri duke falënderuar edhe USAID-in për mbështetjen he bashkëpunimin e mirë me Komunën e Vushtrrisë.

Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës, shprehu gatishmërinë e tij që transparencën në këtë komunë ta ngrisë edhe më tutje duke vë në dispozicion të gjitha dokumentet për shpenzimin e parasë publike për çdo palë të interesuar. /InfoKomuna/