Vushtrria shtrin rrjetin e menaxhimit të mbeturinave në të gjitha fshatrat e saj

VushtrriPostuar: 15:22 / 22.09.2021

Komuna e Vushtrrisë ka arritur që të shtrijë rrjetin e menaxhimit të mbeturinave në të gjitha fshatrat e saj. Grumbullimi i mbeturinave për 66 fshatrat e Vushtrrisë bëhet një herë në javë dhe mbeturinat merren shtëpi për shtëpi. Falë këtij menaxhimi është arritur të largohen edhe rreth 200 deponi ilegale.

Kompania që merret me menaxhimin e mbeturinave “Uniteti” ka arritur që gjatë vitit 2020 të grumbullojë rreth 27 mijë kilogramë letër, mbi 15 mijë kilogramë plastikë dhe 197 kilogramë alumin. E njëjta ka bërë që për një vit e gjysmë të inkasojë 400 mijë euro të hyra.

Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Vushtrrisë, Shkëlzen Xhaferi, thotë se si Komunë kanë arritur që të krijojnë sistem të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave në të gjitha fshatrat.

“Kemi sistem të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave dhe të shtrirë në tërë territorin e Vushtrrisë…Gjatë kohës së pandemisë kemi liruar të gjithë kategoritë sociale, mirëpo inkasimi ka qenë në një nivel rekord, mbi 400 mijë euro në vitin 2020 dhe gjashtë mujorin e parë të vitit 2021”, thotë ai.

Falë bashkëpunimi me donatorë, Xhaferi thotë se kanë siguruar kontejnerë për çdo shtëpi. Mbledhja e mbeturinave bëhet nga ndërmarrja “Uniteti” e cila ka në dispozicion 11 kamionë. Një ekip prej tre personave brenda ditës mbulon 400 deri në 450 shtëpi.

Ushtruesi i detyrës së kësaj ndërmarrjeje, Safet Ahmeti, thotë se janë të vetmit që bëjnë mbledhjen e miturinave shtëpi për shtëpi, ndërsa përmend edhe eliminimin e deponive ilegale.

“Një herë në javë shkojmë shtëpi për shtëpi i marrim mbeturinat me këtë staf që e kemi. […] Para 5 viteve të regjistruar kanë qenë afër 200 pika të zeza, kemi arritur me ardhë në 7 pika të zeza. I kemi eliminuar gradualisht, vetëm 7 na kanë mbet, besoj, shpresoj që me ndihmën e komunës qysh është biseduar shumë shpejt do të eliminohen”, thekson ai.

Mbeturinat çdo të hënë grumbullohen edhe në fshatin Zhilivodë, i cili është fshati më i thellë i kësaj komune.

Banori i këtij fshati, Nuradin Krasniqi, thotë se ky shërbim i komunës ka ndikuar që të pastrohet edhe fshati.

“Shumë jemi të kënaqur, është pastruar fshati, pastrohet oborri, pastrohet fshati, rrugët, më mirë nuk ka[…] Ku e kemi gjuajtur, ku ka gjetur dikush një përrua qaty, fëmijët, ajo nuk ka qenë kurrfarë jete, tash është ndryshe, a po e sheh sa mirë. Me ardhë me ta marr këtu bërllokun, ton javën e mbledhim i qesin aty, mbushet kontejneri vjen e merr, ai e qon atje ku është vendi, a fshati mbetet i pastër”, thotë Krasniqi.

Komuna e Vushtrrisë gjatë vitit të kaluar ka miratuar edhe rregulloren për menaxhimin e mbeturinave në territorin e kësaj komune.