Pushime që na lodhin

Postuar: 10:49 / 14.07.2016

Është koha për pushim. Pas një viti të gjatë pune dhe lodhjeje, shqiptarët kanë filluar të shkojnë drejt plazheve brenda dhe jashtë vendit për të pushuar.

Edhe ata që nuk i kanë nisur ende pushimet, e kanë të vështirë ta injorojnë aromën e plazhit, që vjen përmes fotove pikante me rroba banje në Facebook dhe Instagram. Të gjithë janë mbërthyer nga ethet e pushimeve, disa si aktorë, të tjerët si spektatorë, të cilët presin vetëm çastin kur do ngjiten në skenë. Por a pushojmë në fakt, apo lodhemi nga pushimet? Ç’do të thotë të pushosh?

Në gjuhët kryesore europiane, për pushimet gjen terma të tillë si vacation (në anglisht), vacanze(në italisht), vacances (në frëngjisht), vacaciones (në spanjisht). Të gjithë këta terma e kanë prejardhjen nga termi latin vacatio, që do të thotë kohë e lirë, liri, çlirim nga detyra, dhe boshësi. Kuptimin e boshësisë (dhe vanitetit) e jep edhe një term tjetër latin, vanus, i cili lidhet ngushtë mevacatio. Të pushosh pra do të thotë kesh kohë të lirë në lirinë tënde, do të thotë të çlirohesh nga detyrat, do të thotë të jesh bosh.

Por, filozofi dhe sociologu gjerman Luhmann na thotë se, qëkurse është ndarë koha e punës nga koha e lirë, nuk del më koha për asnjërën. Ky është rezultati fatkeq i organizimit të kohës nga njeriu, që dëshmohet nga ankesat e vazhdueshme të njerëzve për mospasjen kohë mjaftueshëm për të kryer punët e ditës, të javës apo të muajit dhe, nga ana tjetër, për të çlodhur mjaftueshëm trupin dhe mendjen. Ajo çka ndodh është fenomeni pervers i transportimit të elementeve të pushimit në kohën e punës dhe, anasjellas, i elementeve të punës në kohën e pushimit. Si rezultat, njëkohësisht bie edhe cilësia e punës edhe cilësia e pushimit: puna bëhet më pak e efektshme, ndërsa pushimi i lodhshëm.

Së dyti, të pushosh do të thotë të çlirohesh nga detyrat. Por kjo do të thotë të bëhesh autonom, të vendosësh vetë për veten, e jo më të tjerët për ty. Veçse tendenca për të preferuar organizimin e pushimeve nga agjencitë turistike, përmes paketave të plota dhe guidave të detajuara, flet kundër autonomisë. Edhe pse pushuesi e ka marrë vetë vendimin fillestar për ta lënë veten në duart e agjencisë turistike, pas kësaj ai vijon të ndjekë dhe zbatojë detyrat e vendosura nga agjencia: arritjen në orar në stacion, largimin në kohën e përcaktuar nga plazhi, vizitën te monumenti historik X, udhëtimin me anije nga pika A në pikën B etj. Paradoksi i pushimeve është pikërisht ky: që pushuesi të arrijë të pushojë, nuk duhet të çlirohet nga detyrat; përkundrazi, duhet patjetër t’i ndjekë dhe zbatojë me përpikëri.

Së treti, të pushosh do të thotë të jesh bosh. Që kjo të ndodhë, duhet të boshatisesh. Por nga çfarë? Njeriu është trup, mendje dhe komunikim. Trupin nuk mund ta boshatisë, por mendjen dhe komunikimin po. Në mënyrë që të pushojë, njeriu duhet ta lërë mendjen të endet lirisht nëpër çfarëdolloj gjëje që i ofron intuita dhe natyra, dhe duhet të hyjë e marrë pjesë në komunikim vetëm për hir të kënaqësisë së bisedës, jo për të zgjidhur probleme shqetësuese të tipit ‘nuk punon kondicioneri’, ‘ku të gjejmë një restorant që nuk mashtrojnë me çmimet’, ‘si ta kapërdijmë sjelljen e kamerierit’ etj. Përndryshe, mendja nuk do të jetë bosh, por e ngarkuar me ankth, paranojë dhe stres, ndërsa komunikimi i ngarkuar me probleme dhe konflikte.

Spontaniteti është esenca e pushimit. Në spontanitet pushon edhe mendja edhe trupi i njeriut. Nëse sot kemi vetëm dy terma – punë dhe pushim – për të përshkruar kohën që përjetojmë gjatë jetës, atëherë pushimet e organizuara njeriu i përjeton si punë. Ato nuk e çlodhin, por i ofrojnë lodhje të një lloji tjetër: me më shumë ngjyra, më shumë variacion, më shumë kosto, më shumë iluzione. Kjo të sjell ndërmend episodin nga një film i Celentano-s, ku ndodh ky shkëmbim batutash ndërmjet personazheve, të cilët qenë mërzitur nga jeta në Itali dhe po kërkonin zgjidhje: ‘Unë them të shkojmë në Indi’. ‘Me çfarë?’ ‘Me anije’. ‘Sa zgjat udhëtimi me anije?’ ‘Dy muaj’. ‘Dakord, shkojmë në Indi, qëndrojmë një orë dhe kthehemi’.

Shkruan: Klementin Mile

Pedagog në UET