Sa vende pune po krijon ekonomia e Kosovës?

Postuar: 15:50 / 17.05.2016

Kosova ende ballafaqohet me shifra të pasakta të punësimit, e kjo e vështirëson matjen reale të ekonomisë së Kosovës në ndikimin e punësimit.

Raportet e fundit nga Agjencia e Statistikave paraqesin të dhënat se çdo vit ka hapje të bizneseve të reja, por 97 për qind e tyre janë biznese familjare me një të punësuar që nuk garanton punësim stabil.

Ende tregut të Kosovës i mungojnë analiza të mirëfillta mbi gjendjen aktuale, konkretisht krahasimi i bizneseve të mbyllura dhe të hapura brenda një viti.

Kosova është treg i vogël i cili kryesisht është i ndikuar nga importi, që nga viti 2007 e deri në  vitin 2015 nuk ka ndryshuar struktura, raporti import-eksport është 90 me 10 në favor të importit. Prodhimi vendor nuk ka ndonjë klimë të favorshme për ta përmirësuar bilancin tregtar, i cili nuk ka kapacitete për përmbushjen e nevojave të tregut vendor aq më pak kapacitete për eksport.

Bujqësia shihet si një shpëtim për hapjen e vendeve të reja të punës, i cili simulohet nga Qeveria përmes granteve të ndryshme, por një gjë e tillë ende nuk ka treguar rezultate sepse mungon një monitorim i mirëfilltë dhe një analizë mbi menaxhimin e granteve nga ana e Qeverisë.

Punësimi në sektorin e bujqësisë është kryesisht familjar dhe sezonal, nuk ofron ndonjë stabilitet tek të punësuarit në këtë sektor, madje qofshin edhe familjarë nuk kanë ndonjë strategji për të ardhmen për kohëgjatësinë e punësimit të tyre.

Asnjëherë nga Qeveria nuk u prezantua ndonjë plan strategjik për të treguar, dëshmuar dhe nxitur sektorin e bujqësisë, i cili jo vetëm që do ta ndihmojë punësimin, por do të ndihmojë edhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

Problemi tjetër i sektorit të bujqësisë janë qendrat e grumbullimit të produkteve ku u garantohet fermerëve se shitja e produkteve të tyre nuk do të ketë stagnim, siç ka qenë problemi i shitjes së patateve. Jo vetëm patateve u mungon një garanci për shitje, edhe qumështarët kanë vazhdimisht probleme me shitjen e produktit të tyre për arsye të importit të pakontrolluar, i cili po ndodh tash e sa vite në tregun e Kosovës me një konkurrencë të pakontrolluar nga Qeveria.

A mjafton punësimi vetëm në sektorin e bujqësisë?

Punësimi më i madh dhe stabil vjen nga investimet e huaja direkte, të cilat që nga viti 2007 kanë pësuar rënie për shkak të klimës jo të favorshme për të bërë biznes. Investimet më të mëdha kapitale në energji dhe telekomunikacion tash e sa vite janë përcjellë me keqpërdorime të shumta, që është një indikator shumë i rëndësishëm për tërheqjen apo largimin e investitorëve tjerë strategjikë. Jo vetëm punësim në shërbime, por Kosovës i mungojnë kompani (shumëkombëshe) për të hapur ndonjë repart prodhues.

Problemin tjetër që ka Kosova në rast se rriten investimet e huaja direkte është kualifikimi i punëtorëve. Tash e sa vite Qeveria nuk ka bërë ndonjë hulumtim as të kësaj fushe, për të matur nevojat e tregut me profesionin e kërkuar.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale tregon se 70% e të punësuarve me ndërmjetësim janë me kualifikim të mesëm e kjo e dëshmon se tregu i punës ka nevojë më shumë për punëtorë me profesione të caktuara apo zanatli.

Për të pasur punëtorë profesionalë duhet të hapen më shumë shkolla profesionale sipas nevojave të tregut të punës, e jo universitete të profileve të njëjta, ku gjatë një viti dalin nga 5 mijë të diplomuar dhe nga 55 mijë studentë të regjistruar në universitete publike dhe ato private.

Nëse tregu i punës gjatë një viti punëson deri në 9 mijë persona, ku në 70-përqindëshin e rasteve kërkohen me kualifikim të mesëm, që rezulton në afërsisht 6 mijë punëkërkues me kualifikim të mesëm, atëherë vërehet një diskrepancë e madhe, punësohen vetëm 3 mijë të kërkuar me kualifikim të lartë në mesin e 5 mijë të diplomuarve.

Në të gjitha sferat sa i përket punësimit kërkohet që Qeveria të analizojë detajisht tregun e punës, të paraqesë dobësitë dhe përparësitë aktuale të kësaj fushe, të hartojë një strategji konkrete për nevojat aktuale të tregut të punës me fuqinë punëtore aktuale të cilën e ka.

Nëse një matje e tillë nuk do të ndodhë brenda një periudhe të shkurtër kohore, atëherë Kosova rrezikohet për një stabilitet jo të qëndrueshëm ekonomik, rrezik nga humbja e investimeve të huaja direkte, madje depresion të rinisë së aftë për punë, të cilët nuk mund të gjejnë një punë stabile./Zëri/