"MalMath" aplikacioni i studentëve të UP-së me afër 4 milionë shkarkime në android

PrishtinëPostuar: 13:51 / 04.09.2017

Erjon Paçarizi, Alban Robelli dhe Admir Jashari janë tre studentë të Departamentit të Shkencave Kompjuterike, në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, të cilët rreth një vit më parë lansuan aplikacionin “MalMath”.

Aplikacioni i krijuar nga këta studentë deri më tani ka arritur afër 4 milionë shkarkime në sistemin android, numër i cili po vazhdon të rritet me shpejtësi të jashtëzakonshme.

Ky aplikacion dallon nga aplikacionet e deritanishme të kësaj fushe për shkak se zgjidh detyra të matematikës duke përshkruar secilin hap të tyre. Alban Robelli, njëri nga krijuesit e këtij aplikacioni, thotë se misioni i tyre është që të pajisin studentët me zgjidhje të detajuara për problemet e matematikës në nivelin që ata mund ta kuptojnë procesin e zgjidhjes së problemit. “Ideja është për të ndihmuar nxënësit të kuptojnë mënyrën e zgjidhjes së problemeve të matematikës dhe jo vetëm, duke e dhënë rezultatin e problemit” thotë ai.Aplikacionin MalMath mund ta shkarkoni në Play Store në KËTË LINK.