Ushtari i FSK-së, zuri vendin e parë në aktivitetin sportiv "Dita e Vrapimit CISM 2017"

PrishtinëPostuar: 14:26 / 20.02.2017

10 pjesëtarë të FSK-së morën pjesë në aktivitetin sportiv “Dita e Vrapimit CISM 2017”, të organizuar nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, e cila përkoi me ditën e festimit të përvjetorit të 9-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Pjesëtarët e FSK-së, me ftesë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), morën pjesë në një aktivitet vjetor sportiv dhe kondicional të Forcave të Armatosura Shqiptare “Dita e Vrapimit CISM 2017”. 

Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e Forcave Tokësore në Zall Herr në dy disiplina; 5 kilometra për meshkuj dhe 3 kilometra për femra dhe u përcoll me interesim edhe nga drejtuesit e lartë të FARSH-it!

Në konkurrencën e meshkujve, ushtari i FSK-së Granit Kryeziu nga Brigada e Reagimit të Shpejtë, bindshëm fitoi vendin e parë, me çka edhe u shpërblye me kupë! Ndërsa, në konkurrencën e femrave, pra në shtegun prej 3 kilometrash, vendin e dytë e zuri tetar Mimoza Morina nga KDS-ja.

Vlen të theksohet se të gjithë pjesëtarët e FSK-së, që morën pjesë e në këtë garë, treguan përgatitje dhe disiplinë të lartë, për çka morën edhe lëvdata nga drejtuesit e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.