4 orë bllokuar në Rrugën e Kombit, dëshmitë se si koncensioni dështoi sërish

Postuar: 14:41 / 11.01.2019

Makinat e tonazhit të rëndë dhe mjete të tjera u bllokuan në rrugën Milot-Morinë si pasojë e dëborës edhe pse paguajnë rreth 22.5 euro për çdo kalim në të. Autostrada e cila është prej kohësh me pagesë u bllokua disa herë në pika të ndryshme të saj, pavarësisht pranisë së borëpastrueseve.

Agim Thaçi nga Prishtina mbeti i bllokuar për më shumë se katër orë në rrugën Milot-Morinë ndërsa kthehej nga porti i Durrësit. Thaçi i cili drejtonte një cisternë transportimi karburantesh i tha BIRN se ishte i revoltuar nga situata.

"Paguajmë 45 euro e 20 cent vajtje-ardhje dhe sërish rruga nuk është e qarkullueshme,” tha për “BIRN” Agim Thaçi, drejtues i një autocisterne, ndërsa ka hapur krahun në një pjesë të rrugës.

“Kam katër orë që pres për të udhëtuar drejt Prishtinës, por e kam të pamundur pasi rruga është e bllokuar,” shtoi ai.

Bllokimin e rrugës – mirëmbajtja e së cilës u dha me koncesion një vit më parë nga qeveria shqiptare,  e konfirmuan dhe udhëtarë të tjerë. Autostrada u raportua fillimisht e bllokuar për disa orë mbrëmjen e të mërkurës, ndërsa për mjetet e rënda kishte probleme në qarkullim gjatë gjithë ditës së enjte.

Zëvendësdrejtori i kompanisë koncesionare ‘Albanian Highway Concession’, Spartak Tumani pranoi pjesërisht problemet për mjetet e tonazhit të rëndë, por nënvizoi se këto kishin ardhur për shkak të reshjeve të dendura dhe se bllokimet kishin qenë të përkohshme.

Ai i tha BIRN në një bisedë telefonike se rruga në pjesën më të madhe të saj ishte “e kalueshme në asfalt”, ndërsa pranoi se rreth orës 18.00 kishte sërish një bllokim para hyrjes në tunelin e Thirrës.

Dy trajlera janë bllokuar, por makinat e vogla lëvizin”, tha Tumani, i cili një orë më pas në një mesazh shkroi se i gjithë aksi ishte i kalueshëm.

Kompania pretendon po ashtu në faqen e saj në Facebook se rruga është e kalueshme dhe në asfalt pa dëborë, por një numër komentuesish postuan po aty video të bllokimeve dhe treguan një realitet ndryshe.

“Gënjeni ata që nuk kan kaluar sot”, shkroi një komentues poshtë postimit të kompanisë, ndërsa vendosi një foto të rrugës së mbuluar nga dëbora.

Autostrada e pagëzuar “Rruga e Kombit” filloi të ndërtohej një dekadë më parë dhe ka kushtuar mbi 1 miliardë euro, ndonëse ende nuk ka përfunduar në mjaft pjesë të saj. Ndërtimi i rrugës është shoqëruar me akuza për abuzime me fondet.

Ndërkohë, koncesioni për mirëmbajtjen e saj u dha po ashtu pas një sërë debatesh e akuzash në vitin 2016 konsorciumit të kompanive “Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk & “BEE Tech” & “ Violap Ateve” & “Kastrati” sha.  Kompania e krijuar për këtë qëllim, Albanian Highway Concession kontrollohet sot 50 për qind nga  “Kastrati Group” dhe 50 për qind nga kompania “Salillari”.

Koncesionari filloi në pranverë të këtij viti mbledhjen e tarifës 5 euro për kalim në rrugë me makina normale, ndërsa makinat e tonazhit të rëndë tarifoheshin deri në 22 euro, gjë që shkaktoi pakënaqësi kryesisht në qytetin e Kukësit dhe zonat përreth.

Një protestë e thirrur nga këshilltarët e Bashkisë Kukës, që kërkonte heqjen e tarifës duke e cilësuar atë abuzive u bë e dhunshme ndërsa protestuesit sulmuan me gurë dhe më pas i vunë zjarrin godinave të ngritura për mbledhjen e parave. 25 qytetarë u arrestuan dhe u dënuan pas protestës me akuza të shkatërrimit të pronës e kundërshtimit të policisë.

Por zemërimi i tyre e detyroi kryeministrin Edi Rama të organizonte disa fjalime publike për të sqaruar pse rruga po jepej me koncesion edhe pse ky ishte miratuar prej dy vjetësh. Pas kësaj qeveria uli në 100 lekë tarifën për banorët e qarkut të Kukësit dhe disa lëshime për ata që përdornin shpesh rrugën Kostoja prej rreth 50 milion euro e këtyre lëshimeve iu faturua buxhetit të shtetit.

Bllokimet e rrugës në vende të ndryshme dhe bllokimi i mjeteve të tonazhit të rëndë vijoi siç mësoi BIRN edhe gjatë ditës së enjte, pavarësisht se në rrugë kishte prani borëpastruesesh.

“Janë 19 borëpastruese në dispozicion të pastrimit të rrugës nga Repsi në Morinë”, tha Zeqir Lugja, i cili u prezantua si monitorues i kompanisë koncesionare.
Ndryshe nga Tumani që tha se rruga ishte bllokuar të mërkurën për shkak të rrëshkitjes së dy trajlerave, Lugja tha se bllokimi kishte ardhur për shkak të erërave të forta që e kishin “bërë të paefektshem pastrimin e rrugës”.

Ulja e tarifave të tollit ndaj banorëve të zonës së Kukësit i zbehu përkohësisht kritikat, por bllokimi i rrugës me dëborën e parë të viti i ka rikthyer ato, pasi një nga argumentet kryesore të qeverisë për koncesionin ishte ai i një mirëmbajtjeje më të mirë. Bllokimi i rrugës me dëborën e parë të viti, ka rikthyer kritikat ndërsa një nga argumentet kryesore të qeverisë për koncesionin ishte ai i një mirëmbajtjeje më të mirë

“Dje isha në Rinas për të pritur një person të afërm. tha Arkont Guska nga Kukësi. “Gjatë kthimit kemi mbetur të bllokuar për më shumë se një orë në Reps për shkak të bllokimit të rrugës nga dëbora”, shtoi ai. /Birn/