Aksioni për pastrimin e territorit, çliron nga plehrat Kepin e Rodonit

Postuar: 10:40 / 24.04.2018

Aksioni “Të pastrojmë tokën që duam”, i organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përfshiu vendin për rreth 7 ditë me radhë për pastrimin e zonave bregdetare, shtretërit e lumenjve, si dhe në zona ku janë depozituar ndër vite mbetjet urbane.

Misionit të përbashkët për një Shqipëri të pastër, në të gjithë vendin iu bashkuan punonjës të prefekturave, Bashkive, Forcat e Armatosura, institucione të ndryshme lokale dhe qendrore, vullnetarëve dhe shumë qytetarë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në facebook pamje nga pastrimi i një prej plazheve më të bukura të vendit, Kepit të Rodonit.

“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje të aksionit kombëtar për pastrimin e territorit që në ditën e tokës ka vijuar për çlirimin nga plehrat të një prej plazheve më të bukura të vendit, Kepit të Rodonit, ju uroj një ditë të mbarë “, shkruan Rama.

Rreth 500 vullnetarë iu bashkuan angazhimit të pandërprerë të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi për të bërë pastrimin e një ndër zonave më të bukura në vend, Kepit të Rodonit.

“Situata në Kepin e Rodonit është pasqyrim i krimit mjedisor të zhvilluar nëpër lumenj që më pas derdhen det dhe kjo është një situatë e papranueshme në kuadër të sezonit turistik”- tha kreu i Turizmit dhe Mjedisit gjatë këtij aksioni.

Ai ka paralajmëruar tolerancë zero ndaj të gjithë atyre që kryejnë krim mjedisor dhe nuk zbatojnë lejet dhe kriteret mjedisor.

“ Jo vetëm Inspektoriati, por të gjitha institucionet ligjzbatuese, pas datës 22 prill do të jenë më aktive dhe të rrepta”, ka deklaruar Klosi.

Nga veriu në jug, mijëra ton mbetje janë mbledhur nga angazhimi i pandërprerë duke rikthyer vendit pastërtinë e munguar.