Barriera mbrojtëse nga rënia e gurëve në segmentin Lezhë-Shëngjin

Postuar: 10:07 / 13.09.2018

Në segmentin Lezhë-Shëngjin (Knallë) po vazhdon puna për instalimin e barrierave mbrojtëse ndaj rënies së gurëve. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar disa foto nga puna që po kryhet përgjatë këtij segmenti rrugor. Ndërkohë që autoritet përkatëse kanë marrë masat për të orientuar dhe mbajtur nën vëzhgim qarkullimin e mjeteve, me qëllim që të mos ndikohen nga punimet.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur rikonstruksionin e dy segmenteve rrugore Shkodër-Muriqan dhe Lezhë-Shëngjin, në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore.

Sipas ARRSH-së, ndërhyrja rehabilituese në aksin Shkodër (Ura e Bunës) – Murriqan parashikon prishjen e shtresave ekzistuese asfaltike, zëvendësimin e nënshtresave në çakëll dhe stabilizant, realizimin e të gjithë shtresave të reja asfaltike në gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosja e sinjalistikës rrugore e masave të sigurisë rrugore.

Ndërsa ndërhyrja për stabilizimin e skarpatës në Lezhë-Shëngjin (Knallë) parashikon instalimin e barrierave mbrojtëse ndaj rënies së gurëve.

ARRSH dhe Policia Rrugore, kanë bërë të ditur, se do të bllokohet dhe devijohet trafiku në rrugën nacionale Lezhë – Shëngjin në të dy sensent e lëvizjes në vendin e quajtur Knalle ku edhe do te kryhet ndërhyrja. ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor u kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon: Lëvizja e të gjitha mjeteve në drejtim me destinacion Shëngjinin të devijohet majtas në Knallë në aksin rrugor Kënallë – Kunë.

Gjithashtu drejtuesit e mjeteve ne drejtimin nga Shëngjini në Lezhës duhet të devijohen djathtas në aksin rrugor Kënallë – Kunë

Punonjësit e autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqendruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.  /ATSH/