Bora mbërthen Shqipërinë, Rruga e Kombit vetëm me zinxhir

Postuar: 11:30 / 11.01.2019

Ortek bore në Librazhd, në Dibër trashësia arrin 1.5 metër. Fshatra të bllokuar dhe pa energji. Rruga e Kombit e kaluaeshme vetëm me zinxhir, thuhet në raportimin e GSH për situatën sot në Shqipëri.

Moti i keq vijon të mbajë të mbërthyer Shqipërinë. Disa ortekë dëbore kanë rënë në Librazhd, pikërisht në fshatin Llangë të Njësisë Steblevë.

Kjo ka bërë që të bllokohet aksi rrugor Lunik-Steblevë. Ndërkaq, shumë zona janë të bllokuara dhe dëbora në qarkun e Dibrës ka mësohet se arrin në trashësinë deri në 1.5 metër, ç’ka ka sjellë dhe izolimin e shumë fshatrave.

Emergjente është situata në Njësinë Administrative Ostren me rreth 5 mijë banorë, të cilët kanë kërkuar ndihmë pasi mungon energjia elektrike si dhe nuk ka as kujdes mjekësor.

Fshatra të bllokuar nga dëbora ka dhe në Elbasan dhe Krujë, ndërsa në Shkodër një person humbi jetën pasi iu shemb streha e një karburanti.

Aksi nacional Peshkopi-Tiranë qarkullohet me zinxhirë. Por situata duket më problematike në rrugët e fshatrave që lidhen me qendrat e banuara si Peshkopi dhe Bulqizë.

Në Tropojë, vijojnë të jenë të bllokuara Njësitë Administrative, Lekbibaj, Fierzë, Tropojë e Vjetër, Bytyq. Po ashtu edhe në Kukës, të izoluar nga bora janë njësitë, Arrëz, Zapod, Shishtavec.

Mësohet se Rruga e Kombit është e kalueshme me zinxhirë. Në qarkun e Shkodrës vijon të jetë i pezulluar mësimi. Ndërkaq, 6 fshatra të malësisë së Kruijës janë ende të bllokuara.

Mësimi është ndërprerë në 280 shkolla në të gjithë vendin, në Tropojë, Gjirokastër, Has, Korçë, Dibër, Shkodër e Mirditë.