Certifikohen 3 mijë drejtorë e zv.drejtorë të shkollave

Postuar: 10:45 / 04.10.2018

Emërimi i drejtorëve të shkollave politika do të marrë fund, pasi këto të fundit nga sot do të kalojnë përmes një shkolle të dedikuar ku edhe do të specializohen e certifikohen për punën e tyre.

Në një aktivitet të zhvilluar sot për të prezantuar ngritjen e shkollës së drejtorëve që do të nisë funksionimin nga dita e sotme, ishin të pranishëm figura të rëndësishme të jetës politike e sociale.

Për ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla reformat e ndërmarra do të ishin të paplota nëse nuk do të ishin sistematike. Kështu, duke folur rreth themelimit të shkollës së drejtorëve, ajo e cilësoi këtë të fundit një moment kthese, me rëndësi për emërimin e drejtorëve.

“Ne kemi ndërmarre një reformë sistematike në sistemin arsimor që do të ishte e paplotë nëse nuk do të ndodhte në mënyre graduale. Shkolla e drejtorëve që bashkë themelojnë sot, është një moment të rëndësishëm për përmirësimin e  shkollave. Absolutisht, përpos përvojave personave dhe pasionit të drejtoreve për të kryer punën e tyre, ka munguar mbështetja e specializuar për të përgatitur drejtorin në krye të shkollës”, -tha Nikolla.

Ndërsa solli në vëmendje se deri më tani performanca e drejtorëve të shkollave ishte e përcaktuar nga një dokument ku ky i fundit nuk përcaktonte qartë metodologjinë e matjes së punës së tyre, ngritja e shkollës ku do të përgatiten drejtorët, do të përcaktojë qartë mënyrën sesi do të matet puna e drejtorit.

“Sot ka vetëm një dokument që përcakton performancën e drejtorit të shkollës dhe nga ekspertiza ka rezultuar që kjo nuk provon dot as metodologjinë sesi dhe sa po performojnë drejtorët. Është kjo shkollë që do të bëjë të mundur jo vetëm modelet me te mira për formimin dhe edukimin shkollor, por do të shërbejë edhe si vlerë e shtuar sepse do të mundësoje certifikmin e drejtoreve dhe nëndrejtorëve që do dalin nga kjo shkollë”, -shpjegoi ministrja e Arsimit.

Nikolla pranoi se nuk ka mundur të ndalojë emërimet e drejtorëve politikisht, ndaj edhe ngritja e kësaj shkolle do t’i japë fund këtij fenomeni.

“Nuk kam hezitim të them që jam kokëulur para mësuesve dhe prindërve shqiptare që nuk ia kemi dalë që të ndalojmë emërimin e drejtorëve politikisht.  Akti që fillojmë sot është ndarja njëherë e përgjithmonë e emërimit të personave që zgjidhen me procese ne politike”, -theksoi ministrja në fjalën e saj.

Nga ana e tij, Kryetari i Bordit të Fondit Amerikano-Shqiptar, Michael Granoff vlerësoi bashkëpunimin dhe partneritetin me kryeministrin, ministren e arsimit mbi financimet në fusha të rëndësishme për të sjellë ndryshime në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

“Është e vështirë të imagjinojmë diçka që mund të jetë me e rëndësishme sesa sot. Në këtë pikëpamje është një nder i madh të jemi për të folur për 3 projekte të ndryshme, ne cilësi, transparence dhe të ardhmen e vendit. Janë 3 mijë drejtore dhe nëndrejtore që do të trajnohen dhe certifikohen”, -tha Granoff për ngritjen e shkollës së drejtorëve.

Ai tha se modeli është marrë nga Izraeli dhe është përshtatur me kushtet e Shqipërisë.

“Ne kemi pasur mundësi të kërkojmë në të gjithë botën dhe të gjejmë modelet me të mira në Shqipëri duke i përshtatur ato. Nëse shohim shkollën e drejtoreve është një shembull i kësaj gjeje kur pamë një model në Izrael dhe kishte shumë vite që funksiononte. Duke gjetur  këto modele dhe i përshtatur me kushtet vendore, këtu kemi patur mundësi të ndryshojmë diçka”, -referoi kryetari i AADF.

Ngritja e Shkollës së Drejtorëve vjen si partneritet i qeverisë më AADF. /atsh/