Dhërmiu, destinacioni më i kërkuar pas ndërtimit të shëtitores së re

Postuar: 13:50 / 17.12.2018

Në Dhërmi, fshatin me një bukuri madhështore pranë Jonit, po ndërtohet shëtitorja që do ta transformojë plazhin e Dhërmiut në një destinacion akoma më të kërkuar nga turistët.

Kryetari bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, bën të ditur se “vazhdojnë punimet në Dhërmi, ku po ndërtojmë padyshim shëtitoren me të gjatë në bregdet, pas asaj në Qeparo, Himarë, Jali dhe Palasa”. “Së shpejti edhe Borshi, Lukova dhe Livadhi, por edhe Potami në Himarë do të kenë shëtitoret e tyre, po kështu edhe plazhe të tjerë kudo në bashkinë e Himarës”, – thekson Goro.

Po ashtu, Goro shprehet se “çdo plazh i bashkisë Himarë do të ketë imazhin e njëjtë me plazhet më të frekuentuara të Europës apo Botës”. “Ndërtimi i shëtitoreve, shesheve dhe rikonstruktimi i rrugëve të lagjeve dhe shtëpive, kanë qenë dhe janë në axhendën e projektit tonë “Himara e së Nesërmes”, kudo në bashkinë e Himarës”, – tha Goro.

Shëtitorja e Dhërmiut do të jetë akoma më shumë tërheqëse për turistët e huaj, që ende nuk e kanë eksploruar Shqipërinë.Dhërmiu, i shtrirë buzë detit Jon, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta, ka një bukuri madhështore. Dhërmiu gjendet në fund të një plazhi më shumë se pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon në një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tri lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagjja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku – lagjja e dytë dhe Dhërmiu – lagjja e tretë dhe më e madhja, e cila i ka dhënë edhe emrin fshatit.

Fshati i Dhërmiut ndodhet 52 km në jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti, Tirana. Nga ana administrative, Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij. /ATSH