Dhjetori shënon fluks të lartë të turistëve drejt Shqipërisë

Postuar: 10:21 / 29.12.2017

Turizmi është shndërruar në një nga degët më dinamike të ekonomisë, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit.

Ndërsa sezoni i pushimeve i përqendruar dikur vetëm në tre muajt e verës tashmë po zgjatet përgjatë gjithë vitit.

Në të gjitha pikat kufitare të vendit, gjatë gjysmës së dytë të muajit dhjetor ka pasur fluks të lartë të hyrjeve të shqiptarëve që jetojnë jashtë, por edhe të huaj të shumtë janë duke ardhur për festa.

Atmosfera e festave ndihet në të gjitha qytetet e mëdha të vendit. Bashkitë janë kujdesur për të vendosur pemën dhe dritat për të krijuar një ambient festiv, transmeton kp.

Vetëm gjatë fundjavës së shkuar kanë hyrë në vendin tonë edhe 11 346 turistë të huaj nga vende të ndryshme, të organizuar në grupe dhe shoqata , me destinacione të ndryshme në vendin tonë.

Instituti i Statistikave raportoi se për 11-mujorin e këtij viti numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë është rritur me 7.8%. Sipas INSTAT, numri i turistëve nga Europa Qendrore, veçanërisht Polonia ka rritjen më të lartë.

Numri i turistëve polakë që vizituan Shqipërinë në janar-nëntor të këtij viti u rrit me 76% krahasuar me vjet duke arritur në mbi 115 mijë vetë. Rritje të lartë ka shënuar edhe numri i turistëve gjermanë me 46% dhe atyre italianë me 41%.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku në një postim në rrjetin social ‘facebook’ duke komentuar shifrat e INSTAT, theksoi se faktori kryesor që ka çuar në rritjen e numrit të turistëve është pikërisht promovimi që i është bërë Shqipërisë.

“Një lajm i mirë për turizmin në Shqipëri në këtë fundvit. Kjo tregon se tashmë falë një promovimi të shkëlqyer nga ana e Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe një bashkëpunimi të frytshëm me operatorët e sektorit privat, vendi ynë po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për vizitorët e huaj”, shkruan Çollaku.

Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, për 9 muajt e parë të vitit, Shqipëria përfitoi mbi 1.3 miliardë euro të ardhura nga turizmi. Kjo shifër është e barabartë me rreth 12% të prodhimit kombëtar, duke qenë kështu një nga burimet kryesore të valutës për ekonominë.

Në muajin nëntor e vizituan Shqipërinë 24 mijë pushues më shumë se në nëntorin e vitit të kaluar, teksa numri i të huajve për qëllime pushime gjatë 11 mujorit shënoi një rritje vjetore prej afro 22% duke vendosur një rekord te ri me mbi 2.3 milionë vizitorë të huaj që kanë hyrë në vendin tonë.

Sipas Çollakut, kjo shifër po vijon të rritet me ritme të larta dhe gjatë dhjetor për t’i paraprirë një tjetër rekordi për vitin e ardhshëm 2018 , falë punës së shkëlqyer që AKT dhe shumë operatorëve turistik shqiptar kanë ndërmarrë në panairet dhe pjesëmarrjet në takimet ndërkombëtare të turizmit.

Agjencia Kombëtare e Turizmit ka qenë pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Varshavës dhe Berlinit ku stenda e Shqipërisë ka qenë një nga më të vizituarat nga publiku polak dhe operatorët polakë, duke krijuar dhe lidhje direkte me operatorët turistikë në Shqipëri.

Gjithashtu AKT në bashkëpunim me Operatorët Turistikë Private ka realizuar pritje të veçanta gjatë vitit 2017 për Turistët Polakë duke informuar ata mbi atë që ofron vendi ynë.

Festat, fluks i lartë në të gjitha pikat kufitare

Mbi 110 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe mbi afërsisht 30 mijë automjete prekën territorin shqiptar në fundjavën e shkuar, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, raportoi Ministria e Brendshme.

Strukturat e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në kuadër të festave të fundvitit janë angazhuar maksimalisht për të përballuar fluksin e hyrje-daljeve në të gjitha pikat e kalimit të kontrollit kufitar, porte dhe aeroportin ‘Nene Tereza’.

Në të gjitha pikat e kalimit kufitar, porte dhe në aeroport janë shtuar sportelet në hyrje dhe në dalje, me qëllim krijimin e lehtësive duke eleminuar radhët e gjata, si dhe për tu ofruar një shërbim cilësor, të kulturuar e në kohë të gjithë shtetasve shqiptarë e të huaj që qarkullojnë nëpërmjet këtyre pikave të kalimit kufitar.