Hapet tenderi 4.8 mld lekësh për ndërtimin e Unazës së Madhe në Tiranë

Postuar: 17:03 / 11.09.2018

Me një fond investimi prej 4.8 miliardë lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka hapur procedurat e tenderimit për ndërtim rehabilitimin e Unazës së Madhe, në Tiranë që përfshin segmentin rrugor ‘Mbikalimi pallati me shigjeta – rrethrrotullimi Shqiponja’ të ndarë në tre lote.

Operatorët ekonomikë duhet të dorëzojnë ofertat e tyre brenda datës 12 tetor 2018, ndërsa lidhur me zbatimin e kontratës është parashikuar një periudhë kohore prej 24 muaj.

Investimi në tre lote:

Loti i parë 1 km, përfshin ndërhyrjen e nyjës tek sheshi Shqiponja dhe mbikalimin e rrugëve dytësore.

Janë projektuar 2 mbikalime rreth 150 m larg rrethrrotullimit për të bërë kalimin e automjeteve të rrugës së shërbimit nga njëra anë e rrugës kryesore në anën tjetër. Ndërsa, nënkalimi në sheshin Shqiponja i cili lidh rrugën ‘Dritan Hoxha’ me unazën për në Durrës do të ketë një gjerësi të brendshme prej 10.3 m dhe do të ketë dy korsi.

Ndërkohë, sa i takon lotit të dytë me gjatësi 2 km grafiku i punimeve përfshin ndërhyrjen në nyjën tek ura e Lanës, e cila do të trajtohet mbi urën ekzistuese.

Loti i tretë me gjatësi 3 km do të fokusohet tek nyjet lidhëse të rrugëve sekondare me rrugën anësore dhe mbikalimin e rrugëve urbane.

I gjithë segmenti rrugor do të pajiset me sinjalet përkatëse vertikale e horizontale si dhe me sistemin e ndriçimit.