Investimet e kthejnë Përmetin në destinacion turistik

Postuar: 11:37 / 25.02.2019

Dikur i harruar dhe i braktisur nga vetë banorët e tij, qyteti i Përmetit është kthyer tashmë në një prej destinacioneve turistike në vend.

Që prej shpalljes së tij si Qendër e Mbrojtur Historike, qyteti është shndërruar në një zonë me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit dhe atë ekonomik.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që po kryhen për rijetëzimin e ndërtesave, duke ruajtur njëkohësisht edhe trashëgiminë e çmuar kulturore.

Qendra Historike e Përmetit është pjesë e programit të Bankës Botërore me vlerë 71 milionë dollarë. Kjo qendër shtrihet rrëzë malit dhe përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese, kryesisht në lagjet e Shënkollit (Varrosh), Teqesë, të cilat për nga kompozimi i ndërtimeve dhe rrugëve me kalldrëm, janë lagjet ku kanë mbetur gjurmët më të vjetra të qytetit.

Deputetja e qarkut të Gjirokastrës, Mirela Kumbaro tha se shpallja e qendrës historike të qytetit i dha një hov të menjëhershëm zhvillimit të turizmit.

“Qendra Historike e Përmetit nuk ishte përcaktuar si e tillë. E shpallëm në vitin 2016, pasi bëmë gjithë studimin e zonës, në të njëjtën kohë kur filluam projektin e Rilindjes Urbane. Pamë që ka një potencial të jashtëzakonshëm kjo zonë për ta kthyer në një destinacion turistik, por edhe për ta rijetëzuar si arkitekturë, duke ruajtur gjithçka tradicionale. Kjo është arsyeja pse kjo zonë është pjesë e projektit me BB bashkë me Gjirokastrën.” – u shpreh ajo.

Brenda Qendrës Historike ndodhen shumë ndërtesa të vjetra të qytetit, si dhe ekzistojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776 dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë; Kisha e Shën Kollit e shekullit 19-të. Gjurma e rrugës dhe rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit 19-të. /ATSH/