Kënd Edukativ të Trafikut në Vlorë

Postuar: 15:50 / 13.08.2021

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPShTRr), pas aktiviteteve të Këndeve Lëvizëse të Trafikut anembanë vendit sjell një tjetër risi.

Sipas DPShTRr-së, në ambientet e Shkollës Industriale “Pavarësia”, është drejt përfundimit projekti për ndërtimin e një këndi të mirëfilltë simulimi të qarkullimit rrugor për orë aktive mësimore mbi sigurinë rrugore

Këto orë, bën të ditur DPShTRr, do të zhvillohen së bashku me studentët e degës së shërbimeve të transportit rrugor dhe instruktorëve të ardhshëm të autoshkollave.

“Ky kënd, financim i DPShTRr, përfshin një sipërfaqe të konsiderueshme dhe një shtrirje e cila improvizon rrugën me të gjithë elementët e saj, si sinjalistikat e shtrira, semaforët, tabelat, trafikndarëset e gjelbërimin”, informoi DPShTRr.

Këndi i Sigurisë Rrugore nuk angazhon vetëm studentët e ShIP, ai vjen si një dhuratë nga DPShTRr edhe për të gjithë fëmijët e qytetit, të cilët të shumtë në numër do kalojnë orë edukative në këtë ambient.

“Përgatisim breza të formësuar me rregullat e përdorimit të rrugës”, thotë DPShTRr.