Komunat e Pollogut përfitojnë tri projekte të huaja

Postuar: 10:28 / 17.01.2018

​Përfaqësues të një kompanie Amerikano-Gjermane, “ITM Power Group” përpara kryetarëve dhe përfaqësuesve të komunave të Pollogut, në ambientet e Komunës së Zhelinës kanë prezantuar tre projekte të rëndësishme për komunat që kanë të bëjnë me mbeturinat, grumbullimin dhe reciklimin e tyre në mënyrë efikase, me ujërat, si dhe njëri nga projektet kishte të bëj me teknologjitë inovative energjetike.

Blerim Sejdiu, kryetar i Komunës së Zhelinës tha se ky projekt ka të bëjë me deponitë, pastrimi i ujërave të zeza dhe e treta – për kthimin e mbeturinave në energji të renovueshme.

“Ishin tre projekte të rëndësishme, njëri ndër to ishte deponia si projekt kryesor që e kemi në gjithë Maqedoninë, por edhe në rajonin e Pollogut, pastaj projekti i dytë me pastrimin e ujërave të zeza dhe e treta me energjinë apo partneritetin publik-privat, pra ky është projekt edhe i Qeverisë dhe shpresoj të gjejmë gjuhë të përbashkët edhe me ta”, tha Sejdiu.

Ditë më parë, kryetari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili, së bashku me kryetarin e Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, kanë realizuar një vizitë pune në Republikën e Shqipërisë në drejtim të gjetjes së një zgjidhje afatgjate për mbeturinat dhe deponinë e egra që janë në atarin e këtyre dy komunave, ku përveçse kanë marrë pjesë në një konferencë që ka trajtuar temën e mbeturinave dhe deponive, po ashtu kanë pasur mundësinë që për së afërmi të shohin procesin e punës së një impianti për grumbullimin dhe reciklimin e mbeturinave.

Kryetari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili, tha se problemi i mbeturinave është problem në tërë rajonin e Maqedonisë.

“Ka një vullnet të kryeministrit për zgjidhjen e kësaj, por nuk mjafton ai vullnet, duhet më tepër që të rregullohet një herë e përgjithmonë kjo punë, sepse është një problem regjional që tangon gjithë regjionin, por edhe e gjithë Maqedonia e ka këtë problem”, tha Albon Xhemaili, kryetar i Bogovinës.

Isen Shabani, kryetar i Komunës së Vrapçishtit, nënvizoi se vullnet ka nga kryeministri për zgjidhjen e këtij problemi, por edhe pengesa ka nga ana e Qeverisë në këtë drejtim.

“Patëm rastin të vizitojmë një impiant në Elbasan dhe ishte tejet modern, por patëm rastin ta shohim nga afër, kurse këtë sot se si duket – nuk e dimë se si duket gjallë”, tha Shabani.

Përndryshe, problemi i mbeturinave në Pollog nuk është vetëm një problem që tangon një apo dy komuna, ky është një problem regjional me të cilin ballafaqohen pothuajse të gjitha komunat që gravitojnë në pjesën e Maqedonisë Perëndimore, për të cilin nevojitet të gjendet një zgjidhje emergjente dhe afatgjate. Nijazi Salihadzic, koordinator i projekteve tha se bëhet fjalë për teknologji, e cila nuk ka asnjë ndikim në ambientin jetësor apo ndotjen e tij.

“Ne këtu kemi prezantuar potencialin tonë edhe në aspektin ekologjik, por edhe komercial që do të mund t`u përgjigjet kërkesave të këtij rajoni. Poashtu, përmes mbledhjes së mbeturinave – ne do të mund që ato t’i kthejmë në sistem të energjisë për ndriçim publik”, tha Nijazi Salihadzic. Pas prezantimit që sot bëri kompania ITM Grup, pritet që të bëhet edhe studimi i fizibilitetit që më pas të japin edhe ofertën konkrete për zgjidhjen e problemit të deponive të egra.