Konfirmohen edhe 30 raste me Covid-19

Postuar: 22:40 / 18.04.2020

Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 242 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Me SARS-CoV-2, pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë (30) raste.

Rastet pozitive janë raste kontakti, njëmbëdhjetë (11) raste nga komuna e Suharekë (sipas vendbanimit: pesë (5) raste Krushicë e poshtme, tre (3) raste Suharekë, dy (2) raste Reshtan dhe një (1) rast Bukosh), nëntë (9) raste me vendbanim në Pjetërshticë-Shtime, dy (2) raste me vendbanim në Fushë Kosovë, dy (2) raste me vendbanim në Gjakovë, dy (2) raste me vendbanim në Gjilan dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Zabel i ulët-Drenas, Bokshiq-Klinë, Viti dhe Topanicë-Kamenicë.

Sot më 18 prill 2020, janë shëruar edhe nëntë (9) pacient, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej nëntëdhjetë e tre (93).

Nga data 08 shkurt deri më 18 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 4.366 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej pesëqind e dhjetë (510) me dymbëdhjetë (12) raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 6.004 kontakte të rasteve.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 18 prill 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 2.316.430 raste të COVID-19 dhe 159.168 raste të vdekjes.