Kryetari i ri i Shkodrës: Angazhim maksimal për sigurinë e qytetarëve

Postuar: 11:21 / 01.04.2019

Valdrin Pjetri ka marrë zyrtarisht detyrën e Prefektit të Shkodrës. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Hipotekave, Pjetri ka marrë këtë të hënë detyrën e Prefektit të Shkodrës, pozicion që mbulohej nga Çesk Millja.

Gjatë prezantimit të Pjetrit prefekt i Shkodrës, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka theksuar se qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet ligj-zbatuese për të përmirësuar sigurinë në Shkodër.

“Është një moment i rëndësishëm. Kam kënaqësinë të prezantojë prefektin e ri. Falënderojë dhe Milljan, për detyrën e kryer me profesionalizëm. Dhe në detyrën e re që do të marrë së shpejti, Millja do tregojë profesionalizëm”, tha Lleshaj.

“Pjetri merr një detyrë të rëndësishme, me përgjegjësi të madhe dhe sfida të shumta. Prefekti është nyja që lidh pushtetin qendror me pushtetin lokal. Prefekti ka si detyrë të lidhë dhe degët institucionale. Qytetarët e Shkodrës presin shumë nga prefekti i ri”, tha ministri Lleshaj.

Sipas tij, nga prefekti i ri pritet një angazhim edhe më i madh për koordinimin e punës me pushtetit lokal e atij qendror, apo koordinimit të punës për institucionet pushtetit qendror, që shtrihen në zonën e mbuluar nga prefekti. Lleshaj shtoi se turizmi është një sfidë tjetër e Prefektit. “Numri i turistëve që vijon në rritje janë përgjegjësi dhe duhet angazhim maksimal për t’iu ofruar shërbimet dhe kushtet më të mira. Sfidë është dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale, që kërkon vëmendje dhe angazhim të lartë nga të gjitha institucionet që operojnë në qarkun Shkodër, e ku prefekti luan një rol të rëndësishëm”, tha Lleshaj

“Qyteti i Shkodrës është sfiduar disa herë nga krimi, vijoi Lleshaj. Siguria dhe rendi kane marrë goditje të forta nga krimi në Shkodër. Ky sulm është produkt i një krimi të organizuar që ka zënë rrënjë prej vitesh. Dhe kjo nuk i ka hije këtij qyteti, pasi Shkodra i ka dhënë Shqipërisë, artin, sportin, dhe mjaft vlera të tjera”.

“Është për të ardhur keq, tha Lleshaj, që duhet të ketë ngjarje të tilla kriminale. Ne jemi këtu me angazhimin më të madh për të dhënë sigurinë maksimale qytetarëve. Dhe drejtori i ri i policisë për qarkun e Shkodrës jam i sigurt se do bëjë maksimumin për të luftuar këto fenomene kriminale në këtë qytet. Prandaj dhe ftoj qytetaret që të bashkëpunojnë me policinë për të goditur krimin e organizuar dhe atyre që cenojnë jetën normale të qytetarëve të këtij qarku”, tha Lleshaj.

Valdrin Pjetri ka lindur në vitin 1981 në Shkodër dhe është specializuar në fushën e financës dhe menaxhimit. Pjetri në vitet 2014-2015 ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Pronave në Ministrinë e Mbrojtjes.

Më pas ka qenë Kryetar i Komisionit të Demontimit të Municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në këtë institucion. Prej majit të vitit 2018 mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekave.