Kukës-Morinë, dublimi i urave përfundon brenda këtij viti

Postuar: 11:19 / 09.10.2018

Duket se shumë shpejt punimet në Rrugën e Kombit do të përfundojnë. Brenda këtij viti përfundon ndërtimi i të 7-të urave dubluese me të gjitha elementët e sigurisë, në segmentin Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e urave në segmentin Kukës-Morinë, kërkoi nga kompania përgjegjëse, të intensifikojë punën për ta përmbyllur këtë investim brenda këtij viti duke i dhënë fund problematikës së trashëguar.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Afrim Qendro shprehet se, ky investim do të rrisë ndjeshëm sigurinë rrugore duke e kthyer segmentin brenda standardeve, shkruan ATSH.

Sipas tij, punimet po kryen falë fondeve të akorduara nga qeveria shqiptare, ndërsa investimi pritet të ndikojnë në qarkullimin më të lirshëm të automjeteve. Në fazën e parë të punimeve është ndërhyrë për ndërtimin e kolonave dhe trarëve të tërthortë kryesorë, ndërsa ndërtimi i plotë i tyre parashikohet në fund të këtij viti.

Në segmentin Kukës-Morinë janë gjithsej 7 ura të cilat aktualisht janë të padubluara, pra me dy korsi nga katër që duhet të jenë. Punimet për ndërtimin e këtyre urave kanë nisur që në vitin 2OO9, por për shkak të mungesës së fondeve punimet janë shtyrë.

Ndërhyrja zgjidh problemin e ndërtimit të rrugëve lidhëse të fshatit Pobreg me qëllim hyrje-daljen e mjeteve të kësaj zone në aksin Kukës-Morinë. Gjithashtu, për rritjen e sigurisë rrugore dhe qarkullimin e këmbësorëve në fshatrat e komunitetit anës segmentit Kukës-Morinë, parashikohet vendosja e tre mbikalimeve.