Lagjja “Rilindja” në Fushë-Krujë, punimet për banesat individuale në fazën finale

Postuar: 10:50 / 26.07.2021

Në lagjen “Rilindja” në Fushë-Krujë vijon puna pa pushim për ndërtimin e qindra banesave për familjet e mbetura pa shtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga punimet, të cilat kanë hyrë në fazën finale për banesat individuale.

“Mirëmëngjes dhe me kantierin e lagjes së Rilindjes së Fushë Krujës ku punimet kanë hyrë në fazën finale për banesat individuale, e për Krishtlindje edhe pallatet e infrastruktura publike do të jenë të përfunduara, ju uroj një javë të mbarë”, – tha Rama.

Në kuadër të programit të rindërtimit në Fushë-Krujë po ndërtohen 15 pallate, 100 apartamente, 167 shtëpi individuale.

Lagjja e re përfshin çerdhe, kopsht, qendër shëndetësore, shërbime administrative dhe një treg të madh për zonën. “Rilindja” shtrihet në 10 hektarë tokë dhe do të ndryshojë rrënjësisht cilësinë e jetës së familjeve që së shpejti do të banojnë në këtë zonë, në kushte më të mira se ato që kishin deri një vit më parë.