Ndërtimi i impiantit fotovoltaik në zonën e Karavastasë, dorëzimi i ofertave deri më 30 prill

Postuar: 14:38 / 27.04.2020

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi një ndryshim në ftesën për ofertë për procesin konkurrues për përzgjedhjen e ofertuesit për zhvillimin e “Projektit për ndërtimin e impiantit fotovoltaik, në zonën e Karavastasë”.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar vendimi sipas të cilit, përcaktohet se afati për dorëzimin e ofertave do të jetë data 30 prill 2020, ora 12:00 (ora e Evropës Qendrore).

“Nëse oferta dorëzohet me postë, do të konsiderohet se është dorëzuar rregullisht brenda afatit të dorëzimit të ofertave, nëse përmbush kumulativisht:- data e shënuar në vulën postare të zarfeve, e konfirmuar me anë të njoftimit të shërbimit postar, është jo më vonë se afati i dorëzimit të ofertave (dmth 30 prill 2020, ora 12:00, ora e Evropës Qendrore);- MIE e merr Ofertën jo më vonë se data e hapjes së ofertave (dmth 8 maj 2020, ora 17:00, ora e Evropës Qendrore)”, thuhet në vendim.

MIE do të lëshojë konfirmimin e marrjes së ofertës, me datën dhe orën e marrjes.

Ofertat e dorëzuara në dorë pas afatit të dorëzimit të ofertave (i ndryshuar) ose ofertat e dorëzuara me postë që nuk përmbushin kumulativisht kushtet e mësipërme, nuk do të shqyrtohen.

Hapja e ofertave, sipas MEI-t do të bëhet më datë 17 maj 2020, ora 12:00 (ora e Evropës Qendrore).

Parkun Energjetik Fotovoltaik prej 140 MW, që do të ndërtohet në zonën e Karavastasë dhe është pjesë e strategjisë së Qeverisë për diversifikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme.

Qeveria Shqiptare e sheh të domosdoshme diversifikimin e burimeve të energjisë për tju shmangur varësisë që ajo ka nga moti dhe sasia e reshjeve, që furnizojnë më pas basenet e hidrocentraleve.

Diversifikimi i burimeve energjetike të rinovueshme do të ndihmonte në uljen e blerjeve nga importi, duke krijuar mundësi që të prodhojmë brenda vendit jo vetëm energji të rinovueshme nga hidrocentralet.

Parku do të shtrihet në bashkinë e Divjakës, në zonën Remas ku janë 122 hektarë tokë dhe në bashkinë e Fierit, në zonën e Libofshës ku janë përfshirë edhe 76 hektarë të tjerë.

Megjithëse është pagëzuar si Parku i Karavastasë, zona e ndërtimit të Parkut Fotovoltaik nuk ka të bëjë me lagunën e Karavastasë dhe projektuesit janë munduar t’i qëndrojnë sa më larg lagunës dhe zonës së mbrojtur. /ATSH/