Ndërtohen edhe tri rrugë të reja në Shqipëri, dy me koncesion

Postuar: 13:34 / 23.01.2018

Qeveria do të ndërtojë tri rrugë të reja, ku dy prej tyre do t’u jepen me koncesion kompanive private.

Ministrisë së Transporteve i janë paraqitur dy propozime të pakërkuara për ndërtimin me koncesion të rrugës Vaqar-Kavajë dhe Milot-Balldrem, ndërsa do të nisë hartimi i projektit për Elbasan-Qukës.

Zv.ministri i Transporteve, Artan Shkreli, tha dje në Komisionin e Ekonomisë se Ministria po shqyrton projektet me koncesion për ndërtimin e dy rrugëve.

“Për rrugën VaqarKavajë dhe Milot–Balldrem kanë ardhur propozimet në ministri dhe në këto momente janë duke u shqyrtuar studimet e fizibilitetit ku një pjesë e tyre duken mjaft të mira. Ky është motivi që janë hequr dy nga këto projekte për financim nga marrëveshja e huasë, sepse do të shikohen me kontrata me koncesion. Me këtë financim ka mbetur vetëm bypass-i i Elbasanit, siç duket nuk ka pasur interesim në këtë nivel”, – u shpreh Shkreli.