Ndryshimet për maturantët e vitit 2019

Postuar: 11:22 / 18.04.2018

Në vitin 2019 maturantët do të zhvillojnë vetëm 1 provim me zgjedhje, jo më 2, siç ka ndodhur që nga viti 2006, kur në sistemin e mesëm arsimor u aplikua për herë të parë testimi përmes parimit meritë-preferencë.

Kjo do të thotë se maturantët e vitit 2019 do të japin 2 provime të detyruara, njësoj si praktika klasike e maturës, që janë gjuha shqipe, letërsia dhe matematika dhe 1 provim me zgjedhje, që mund të jetë e ndryshme për çdo kandidat.

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, të firmosur më 14 shkurt, lëndët me zgjedhje që mund të zgjedhë një maturant janë 8: Kimi, Biologji, Fizikë, Histori, Gjeografi, Qytetari, Filozofi, Sociologji dhe Ekonomi.

Vitin e ardhshëm shkollor maturanti do të ketë të drejtë të zgjedhë cilëndo nga këto 8 lëndë, pra edhe nëse nuk e ka zhvilluar si lëndë gjatë 3 viteve të shkollës së mesme. Viti 2018 do të jetë i fundit, kur matura shtetërore zhvillohet me 5 provime.