Në Luginë të Preshevës, viti i ri shkollor me shumë probleme

Postuar: 10:34 / 04.09.2017

Autoritetet institucionale dhe ato nga jeta e shoqërisë civile, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kanë ngre shqetësimin se viti i ri shkollor 2017/2018, përveç mungesës së teksteve shkollore e shpalljes tepricë teknologjike të kuadrit arsimor, ai, po përballet edhe me një fenomen tjetër, të zvogëlimit të numrit të nxënësve nëpër shkollat shqipe, transmeton Koha.net.

Në bazë të një informate, që vjen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit të Teknologjisë, të Republikës së Serbisë, bëhet e ditur se në listat e tepricës teknologjike nëpër shkollat fillore dhe të mesme, duke përfshirë edhe komunat: Bujanoc dhe Preshevë, gjenden 447 punëtorë arsimorë, dsa nga të cilët për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve, do të ngelin pa punë.

Fenomeni i zvogëlimit të numri të nxënësve dhe paraqitjes së tepricës teknologjike, ka prekur pothuajse të gjitha shkollat shqipe, në mesin e të cilave veçohen shkollat e mesme: “Skënderbeu” dhe ajo teknike në Preshevë, pastaj Gjimnazi “Sezai Surroi” në Bujanoc, duke përfshirë edhe shkollat e tjera fillore në këto komuna si: “Selami Hallaçi”, “Dituria”, “9 Maji”, “Abdulla Krashnica”, “Zenel Hajdini”, “Muharrem Kadriu”, “Naim Frashri”, “Migjeni” etj.

Kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, është shprehur preras se “Këtë vit, fatkeqësisht, nuk do të kemi rritje të librave shkollorë në gjuhën shqipe, pavarësisht se janë arritur marrëveshje mes kryeministrit të Shqipërisë dhe Serbisë”. Më tej, ai, ka konstatuar se “deri në vitin 2015, janë siguruar 86 tekste në gjuhën shqipe, 79 për shkollimin fillorë, tre libra parashkollorë dhe katër tekste për gjuhë dhe letërsi në shkollat e mesme”.

Kryetari i Grupit Punues, në kuadër të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, Zejni Fejzullahu e dejtor i Shkollës së Mesme “Sezai Surroi”, në Bujanoc, ka paraqitur problematikën e mungesës së teksteve mësimore. Sipas tij, për shkollën e mesme janë siguruar vetëm 4 libra, nga viti i parë deri në të katërtin, ndërsa nevojiten afro 300 libra tjerë, në gjuhën amtare për nxënësit shqiptarë.