Në mesnatë nis fushata për zgjedhjet lokale në Maqedoni

Postuar: 14:36 / 24.09.2017

Partitë politikë në Maqedoni mesnatën mes së dielës dhe së hënës, fillojnë fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Këto janë zgjedhjet e para që organizohen nga qeveria e re pas krizës së rëndë, nëpër të cilën kaloi Maqedonia në tre vjetët e fundit.

Ato shihen edhe si test për partitë politike, të cilat dolën me një rezultat të thuajse të barabartë në zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar.

Bazuar në deklarimet e fundit, fushata elektorale do të karakterizohet edhe me retorikë lidhur me çështjet qendrore. Opozita maqedonase pretendon se në këto zgjedhje do të demaskojë, siç shprehet, politikën e dështuar të pushtetit qendror.

“Oferta jonë, përkushtimi, përgjegjësia dhe dija do të jenë përgjigja më e mirë për kaosin dhe pasigurinë që e ka shkaktuar LSDM-ja. Maqedonia do të kthehet në rrugën e suksesit dhe zhvillimit dhe atë rrugë do ta udhëheqim ne së bashku me qytetarët. Këto zgjedhje janë një mëngjes i ri për të gjithë ne”, ka deklaruar Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE-së opozitare.

Lidhja Social-demokrate që drejton Qeverinë, edhe në pushtetit lokal do të vazhdojë me retorikën e zgjedhjeve të fundit parlamentare duke u angazhuar siç thotë “për jetë në Maqedoni”, apo “për një shoqëri për të gjithë”.

LSDM-ja pretendon që këtë koncept ta zhvillojë në partneritet me BDI-në e Ali Ahmetit, me të cilën është në koalicion qeveritar.

“Këto zgjedhje janë zgjedhje të personaliteteve dhe me të drejtë qytetarët kërkojnë kuadro me kualitet të lartë, për të cilët do të votojmë. Ne duam që konceptin tonë për jetë në Maqedoni, apo një shoqëri për të gjithë, ta vazhdojmë edhe në nivelin lokal. Ne ofrojmë zgjidhjet më të mira, si me kandidat ashtu edhe me programe. Ne si partner qeveritar do ta mbështesim njëri-tjetrin në disa komuna”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i LSDM-së.

Edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim e vlerësojnë partneritetin me LSDM-së, si forcues të besimit mes njerëzve apo si fuqi në realizimin e kërkesave të qytetarëve. BDI-ja thotë se në fushatë futet me program të qartë.

“Qëllimi është që ne të krijojmë klimë dhe të japim porosi për qytetarët se këta qytetarë ndajnë fatet dhe jetojnë nën qiell dhe hapësirë të përbashkët, andaj mendohej se duhet që edhe politikisht të afrohen mes vete, rreth një kandidati shqiptar, rreth një kandidati maqedonas. Në këtë drejtim, ne kemi investuar dhe do të investojmë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai ka theksuar se kandidatët e partisë së tij kanë projekte të shumta për zhvillimin e komunave dhe se theksi kryesor gjatë fushatës do të jenë projektet e infrastrukturës, që, sipas tij, do të përmirësojnë jetën e qytetarëve nëpër komuna.

Nga opozita shqiptare kanë shprehur rreziqe nga një partneritet i tillë ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së, dhe këtu pritet të vihet theksi në një pjesë të fushatës së partive opozitare. Partia Demokratike Shqiptare që drejtohet nga Menduh Thaçi thotë se pala maqedonase përmes partnerëve shqiptarë në qeveri synon të ngushtojë, siç shprehet, hapësirat e banuara me shqiptarë.

“Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që shqiptarët në këto zgjedhje së bashku me aleatët e tyre, të ngadhënjejnë në të gjitha territoret e tyre. Klani i maqedonasve punon me shumë angazhim që në këto zgjedhje në disa komuna ku nuk janë shumicë të fitojnë kandidatët e tyre. Ata duan që ta shtrydhin territorin, ta zvogëlojnë territorin ku jetojnë shqiptarët, që territori i maqedonasve të rritet në 93 apo 94 për qind”, ka deklaruar Thaçi në konventën partiake duke lavdëruar kandidatët e partisë së tij për kryetar të komunave “si më të mirët që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët”.

Nga Lëvizja Besa, partia më e madhe e opozitës shqiptare, thonë se programi i tyre kryesisht ka të bëjë me nevojat e shqiptarëve në nivelin lokal, që sipas tyre, janë në gjendje të rëndë nga qeverisja e keqe e drejtuesve të tyre nga BDI-ja e Ali Ahmetit.

“Lëvizja Besa programin e saj për zgjedhjet lokale e ka projektuar në pesë shtylla; shtylla e parë është që të çlirohen komunat nga borxhet, korrupsioni, mafia urbane dhe kështu të jemi transparentë ndaj qytetarëve. Pika tjetër është arsimi dhe kultura, ne kemi shumë shkolla që nuk i plotësojnë as kushtet minimale për mësim; pika tjetër ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, stimulimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha përmes tërheqjes edhe të investitorëve të jashtëm, si dhe pika tjetër që ka bëjë me sportin dhe rekreacionin”, thotë Faton Fazliu, nga Lëvizja Besa.

Fushata elektorale për zgjedhjet e 15 tetorit zgjat 20 ditë. Në garë për drejtimin e 80 komunave dhe Shkupin si njësi veçantë e pushtetit lokal marrin pjesë 19 parti politike dhe koalicione si dhe disa lista të kandidatëve të pavarur për këshilltar komunal.