Nga Saranda në Lezhë, maternitetet që do të rikonstruktohen

Postuar: 12:10 / 26.09.2018

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se po punohet për të përmirësuar të gjithë sistemin parësor përsa i përket materniteteve, kujdesit ndaj nënave dhe fëmijëve të porsalindur, duke filluar nga pagesa për fëmijët e porsa lindur, ku bonusi për ta do të shumëfishohet.

“Eshtë një politikë që siguron një pagesë universale për të gjitha familjet, për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë. Programi ynë është me i gjere se kaq, politikat tona do të ndikojnë në të gjithë rrjetin shëndetësor dhe synojmë që shërbimi në fazën e parë të jetës, për nënën dhe fëmijën të ketë kushte sa më të mira”, tha ministrja.

Manastirliu bëri me dije se ka filluar puna për rikonstruksionin e maternitetit të Sarandës dhe Korçës e se shpejti do rikonstrukturohen edhe maternitetet e Kukësit, Lezhës dhe Beratit.

Manastirliu theksoi se po dixhitalizohet programi për të mbuluar vaksinimin për të gjithë fëmijët dhe të këtë një regjistër elektronik.

Ministrja tha se po punohet për të ulur burokracinë për procedurat në maternitete dhe premtoi se deri në fund të këtij mandati këto politika do të japin efektet duke ulur edhe vdekshmërinë e te porsalindurve. /atsh/